“Për 5 vite rresht ma mohuan të drejtën e studimit, për arsye absurde”, Shaqir Veseli tregon vështirësitë e jetës

schedule11:05 - 26 Shkurt, 2025

schedule 11:05 - 26 Shkurt, 2025

Shaqir Veseli është piktor, skenograf, kineast dhe autor i filmave të Animuar. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai ka rrëfyer gjithë historinë e jetës, që nga fëmijëra ku adhuronte ngjyrat, periudha në Lice ku ia zgjati dorën i madhi Janaç Paço dhe deri te fillimi pas 5 vitesh vonesë në Akademinë e Arteve.

Veseli theksoi se studimet për skenografi nuk i zgjodhi vetë, por ia përcaktuan.

“Kjo ishte më tepër iniciativë e nënës sime, e cila nuk donte që unë ta ndërprisja atë rrugë që unë e kisha filluar që në moshën 2-3 vjeç. Dëshira për ngjyrat ka nisur shumë herët. Pastaj, erdha në Lice. Marrëdhënia me shokët e klasës dhe pedagogët, fillimisht kujtoj që pedagogu që më inkuraroi, ka zgjatur dorën ishte Janaç Paço. Unë isha rreth 14 vjeç afërsisht dhe muajin e parë bënim praktikë. Unë kisha marrë një gur alabastër dhe diku kisha parë kokën e Hermesit dhe fillova ta gdhendja me zell. Nuk e di se ça pa të veçantë ka qenë një periudhë e shkurtër.

Për të studiuar për skenografi, ne na ndanë, nuk është se zgjodha unë.

Skenografia si për të gjithë është vendngjarja e dramës, por jo e dramës së shkruar, por të dramës që ndodh mes spektatorit dhe teatrit. Unë mendoj që në të gjitha periudhat, në të gjitha kohërat ka pasur vepra të mira dhe jo të arrira.

Unë në Akademi shkova me 5 vjet vonesë sepse asokohe ishin këto lloj kriteresh. Unë duhet të merrja një letër në Komitetin Ekzekutiv të Krujës meqënëse isha nga Kruja dhe duhet të vija të konkuroja. Vetëm kaq ishte detyrimi i rrethit për mua. Njerëzit që ishin aty për 5 vite rresht ma mohuan këtë të drejtë, për arsye që po t’iua them tani janë absurde. Im atë asokohe ishte një burrë i përkushtuar ndaj familjes, ndaj atdheut dhe kjo ishte ndër aspektet më të bukura të marrëdhënies sime me të”, rrëfeu ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!