Për 23 vjet kryetar bashkie, Gëzim Topçiu rrëfen për ABC News “sekretet” e jetëgjatësisë

schedule13:03 - 2 Prill, 2023

schedule 13:03 - 2 Prill, 2023

MALIQ- Kemi ardhur në Maliq, sepse në këtë bashki shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të demokracisë, përveç një elementi. Kryetari i Bashkisë është i njëjti që nga viti 2000 dhe për Gëzim Topçiun që po kërkon mandatin e 7-të, kjo është një kohë fushate, ndaj nuk e gjejnë në zyrë, por në Pojan, aty ku po kryen takime elektorale. Por takimi me njerëzit nuk është i lehtë, sidomos kur jua kërkon votën për herë të shtatë.

“Duam ujë, drita, rrugë. Nuk është gjynah që ky fshat ka ngelur me 10 familje? Po na zgjidhe këto, neve na ke me vete”,-dëgjohen të thonë banorët e fshat Zemblak. 

A nuk janë mjaft 23 vjet në një karrige?

“Unë e kam përgjegjësi e kënaqësi. Isha 33 vjeç kur mora mandatin e parë dhe kam qenë gjithmonë me Partinë Socialiste. Këtë mandatin e 7-të në fakt nuk e kërkova unë, por komuniteti dhe strukturat bënë vlerësimet e tyre, sondazhet e tyre dhe menduan që duhet të jem prapë unë. Kjo është rezultat i punës dhe performancës, patjetër”

Agronomi që ka shpenzuar gjysmën e jetës si kryetar bashkimi, nuk ndjehet mirë kur në media dëgjon analistë që i thonë: A nuk u ngope?

“Po ky është koncept i gabuar. Nuk është tek të ngopurit. Unë kam qenë dhe jam i hapur për veten dhe familjen time dhe pasurinë tonë, jam transparent”

Kur i thonë se ka ngulur rrënjë në atë zyrë si të ishte bajraktar, ka këtë përgjigje:

“Është fjalë e rëndë. Unë nga një mandat në tjetrin, çdo palë zgjedhje jam votuar edhe më shumë”

Po çfarë mund të japë më shumë një njeri në mandatin e 7-të?

“Sigurisht që ka disa objektiva që nuk i kam arritur dhe ju kam thënë njerëzve, por ne kemi kryer 200 projekte, tani është koha të bëjmë edhe ato që kanë ngelur. Do të zgjidhim problemin me një shkollë të re këtu ku jemi, shmangim mësimin me turne. Do të investojmë akoma në ujësjellsa.”

Ka vetëm një kundërshtar në këto zgjedhje, dhe ai i vjen nga dyshja Meta-Berisha.

“Është një kirurg që jeton në Tiranë, ka ardhur të provojë veten.  Fitoren nuk e diskutojmë. Thellojmë rezultatin në 14 maj”.

Ky do të jetë mandati i tij i fundit, nëse e fiton, pasi ligji nuk e lejon të vazhdojë më tutje, dhe njeriu që nuk ka provuar të bëjë një punë tjetër prej çerek shekulli, nuk e ka një plan për të ardhmen.

“Nuk kam lindur kryetar, dhe në fakt nuk e kam menduar, pasi çdo ditë mendoj për drejtimin e institucionit”

Por a vjen ky komoditet nga pasuria e akumuluar ndër vite?

“Nuk jam i pasur, nuk kam bërë ndonjë farë pasurie, madje kam qëndruar në të njëjtat nivele. Por natyrisht nuk jam as i varfër”.

Votuesve të tij, ju kujton vetëm një element.

“Unë e dashuroj këtë punë, do jem prapë tek problemet e njerëzve në 15 maj, jo vetëm tani në fushatë që lëvizin të gjithë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!