Manchester City triumfoi në Gjermani ndaj Shalkes, por trajneri Pep Guardiola nuk mendon se skuadra e tij mund ta fitojë Championsin. Ai theksoi se lojtarët e tij bënë shumë gabime.
Përse ky njeri është kaq mosbesues?
Çfarë duhet të bëjë më shumë Manchester City që të bindë trajnerin Pep Guardiola se është në gjendje të fitojë Ligën e Kampionëve?
Kjo do të kuptohet javët e ardhshme, por për momentin futbollistët e tij duhet thjesht të gëzohen dhe të krenohen për atë që bënë në Gjermani, me triumfin 3-2.
Në fushën e Schalke-s, në ndeshjen turit të dytë, ata provuan avantazhin e lehtë, dy penallti kundër, madje edhe me vonesat e VAR-it, kartonin e kuq kundër, por edhe reagimin dhe përmbysjen në minutat e fundit. Ishte një provë që tregon të kundërtën, pra që City është kandidat për Championsin, veçse Guardiola vazhdon të këmbëngulë në të vetën.
“Ishte një rezultat i madh, – pohoi katalanasi, – ne shkaktuam penalltinë e parë, gabuam në të dytën dhe morëm kartonin e kuq. Këto janë shumë gabime për një garë të tillë si Championsi, pra unë mendoj se ne nuk jemi aq të zot sa të luftojmë siç duhet në raundet e tjera. Nuk mund të bëjmë gabime të tilla këtu!”
Edhe në stadiumin e Gelsenkirshenit, pati polemika për VAR-in, me penalltinë e parë që u gjuajt vetëm 4 minuta e gjysmë pasi u shkaktua. Sergio Aguero, Leroi Sane dhe Rahim Sterling ishin autorët e golave për anglezët, veçse ai që ra më shumë në sy ishte portieri Ederson.
Ai u bë i pari portier në Champions, në dy vitet e fundit, që shërben një pasim goli. Tashmë, braziliani ka po aq asiste këtë sezon sa Mesut Ozil, Arjen Roben apo Anthony Martial dhe mbrojtësi Kyle Walker, bën shaka duke thënë se “duhet të na hyjë frika kur ai thotë se do të ketë më shumë asiste se ne”.
Gazetat gjermane nuk e hodhën poshtë ekipin e tyre, pavarësisht humbjes.
“Bild” shkruan opinionin: Çfarë prove përjetoi Schalke! Një humbje e pafat, por Schalke jeton dhe duhet ta mbajë kokën lart!
“Kiker”: Dy penallti, por një zgjim i keq për Schalken! Kampionët e Anglisë fituan ndeshjen me 10 lojtarë!
Schalke po kalonte formë shumë të keqe në Gjermani, ndaj paraqitja ndaj City-t u quajt shumë e mirë. Gjithsesi, kampionia e Anglisë më në fund duket se do të realizojë atë për të cilën janë shpenzuar mbi 1 miliardë euro dekadën e fundit, pra të fitojë Championsin./abcnews.al