Pentagoni: Presim sulme të tjera nga ISIS në Afganistan

schedule12:23 - 27 Gusht, 2021

schedule 12:23 - 27 Gusht, 2021

Pentagoni paralajmëroi se ISIS mund të sulmojë sërish. Grupi një ditë më parë mori përsipër përgjegjësinë e sulmeve pranë aeroportit të Kabul-it. Sipas talebanëve zona ku ndodhi incidenti ishte nën kontrollin e amerikanëve.

“Presim që sulmet nga ana e ISIS të vazhdojnë”. Është i bindur për këtë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, gjenerali Mekenzi, pas atentatit  në afërsi të aeroportit në Kabul. Ndërkohë kanë rinisur fluturimet për evakuimet nga ana e aleatëve të NATO-s.

Ambasada e Kinës në Afganistan bëri apel që bashkëqytetarët të qëndrojnë brenda në shtëpi dhe të shmangin zonat në rrezik sidomos aeroportit. Presidenti i Turqisë Erdogan deklaroi se talebanët i kishin propozuar që të menaxhonte aeroportin e Kabulit nëpërmjet teknikëve civilë. Por ai shtoi se ende nuk është marrë një vendim.

Nga ana tjetër talebanët deklarojnë se nuk është shënuar asnjë humbje nga radhët e tyre në sulmet e një dite më parë në aeroportin e Kabulit. Një nga zëdhënësit e tyre u shpreh se incidentet kishin ndodhur në zonën e kontrolluar nga amerikanët.

Londra bëri të ditur se evakuimi britanik do të përfundojë Brenda pak orësh. Ministri britanik i mbrojtjes, Uallas shtoi se tashmë do të merren me njerëzit që kanë marrë me vete, rreth një mijë civilë të cilët ndodhen Brenda aeroportit.

Ish sekretari amerikan i shtetit Henri Kisinger, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultuan të papërgatitura në veprimet e tyre përballë talebanëve. Dhe kjo për shkak të paaftësisë së tyre për të shënjestruar objektivat e vërtetë.

Ai shtoi se objektivat ushtarakë ishin të paarritshëm ndërsa ata politikë të rrëshqitshëm./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!