Pensionistët në fshat jetojnë më gjatë se ata në qytet. Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kush jeton në fshat i gëzohet pensionit. Duket se kjo është e vërtetë në ditët e sotme, nëse i referohemi të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Gratë në zonat rurale e gëzojnë pensionin për 27 vite, ndërsa ato në qytet 25 vite.
Të njëjtat diferenca mësohet të jenë edhe për burrat. Pensionistët burra në fshat e gëzojnë pensionin për rreth 21 vite, ndërsa ata qytetit më pak se 20 vite.
Diferencat e jetëgjatësisë shpjegohen me kushtet më të mira klimaterike të fshatit me më pak ndotje. Ndotja shihet të jetë vitet e fundit shkaktari më i madh i sëmundjeve në vend, sipas studimeve zyrtare të Ministrisë së Shendetësisë.
Jetëgjatësia e shqiptarëve është rritur dukshëm vitet e fundit. Banka Botërore në statistikat e saj për Shqipërinë ka gjetur se në vitin 1961, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve ishte 62.3 vite, teksa në vitin 2015 shihet se jetëgjatësia ka rritur në 78 vjeç. Vetëm në periudhën e tranzicionit jetëgjatësia është rritur me 6 vite.
Në dekadën e kaluar, vihet re një rritje e qëndrueshme për të dy gjinitë. Megjithatë, gjatë dhjetë viteve të fundit, jetëgjatësia u rrit 4.4 vite te meshkujt, por vetëm 3.1 vite te femrat./abcnews.al