Pence: Është koha të mbyllen hetimet mbi “Russiagate”

schedule22:18 - 10 Maj, 2018

schedule 22:18 - 10 Maj, 2018

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka deklaruar se hetimet mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhje duhet të marrin fund. Duke theksuar se stafi i Presidentit Trump ka bashkëpunuar tërësisht me hetimin, Pence i ka bërë thirrje prokurorit Mueller që ta mbyllë procesin.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i ka bërë thirrje prokurorit të posaçëm Robert Mueller që të mbyllë hetimet mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Ai tha se Shtëpia e Bardhë ka bashkëpunuar tërësisht me hetimin, që synon të zbardhë nëse stafi elektoral i presidentit Trump u lidh me elementë rusë.

“Është në interesin e vendit që kjo çështje të mbyllet”, tha Pence të enjten.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë shtoi se administrata i ka ofruar mbi 1 milion dokumenta ekipit hetimor të Mueller.

“Dhe unë me shumë respekt e inkurajoj prokurorin e posaçëm që ta përfundojë sa më shpejt punën e nisur”, deklaroi Pence.

Pas komenteve të zëvendës presidentit ka reaguar senatori demokrat Adam Schiff, i cili ka deklaruar se Pence e ka çuar marrëzinë e tij në një nivel të ri.

Vetë Trump i ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim me Rusinë, duke e cilësuar hetimin e Mueller një gjueti shtrigash. Sidoqoftë, kreu i shtetit është shprehur i gatshëm të merret në pyetje nga hetuesi i posaçëm, edhe pse ka kërcënuar se mund të përdorë kompetencat presidenciale për ta shkarkuar atë nga detyra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!