Pëllumbi transferohet në Kroaci, emocionon korçarët me postimin e tij

schedule22:38 - 11 Shtator, 2020

schedule 22:38 - 11 Shtator, 2020

Jorgo Pëllumbi do të vazhdojë karrierën në Kroaci tek ekipi i NK Varazdin. “Xholi” i mbrojtjes, i cili mund të luajë edhe në rolin e shkatërruesit, u rrit te Skënderbeu, ekipi i tij i zemrës. 20-vjeçari ka bërë një postim emocionues për popullin korçar, teksa thekson se një ditë do të rikthehet sërish të veshë fanellën e Skënderbeut.

10 vjet kjo fanellë më është si lëkura e dytë dhe ndarja me të ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Futbolli është i tillë, por gjithmonë mbart me vete emocione të papërshkrueshme. Unë jam krenar që kam veshur fanellën bardhekuqe prej vitit 2010. Një falënderim të madh meriton profesor Arben Beta, me të gjithë trajnerët e mi që kanë vendosur tullat e rritjes sime deri në këtë pikë ku jam sot.

Është skalitur si kujtimi më i madh i jetës time debutimi me Skënderbeun në vitin 2016. Prej andej e në vazhdim është e gjitha histori. Jam krenar që kam qenë pjesë e ekipit më të suksesshëm në histori. Gjithçka ia dedikoj trajnerit Ilir Daja, i cili është një profesor i vërtetë në rritjen time si futbollist. Të njëjta vlerësime i shkojnë edhe kapitenit Orges Shehi që më besoi fanellën e titullarit në sezonin më të vështirë të Skënderbeut.

 

Postimi i Jorgo Pëllumbit

Mirënjohja ime do të jetë e madhe edhe për presidentin Ardjan Takaj dhe familjen e tij. Presidenti besoi tek unë që kur isha ende fëmijë dhe këmbënguli se Skënderbeu do të më çonte në kampionatet elitare. Rezultoi e vërtetë dhe sot jam këtu falë tij. Falënderoj dy menaxherët e mi Qormemeti dhe Fakic, të cilët kanë bërë të pamundurën të kisha një klub elitar. Padyshim që tifozët kanë një vend të veçantë në zemrën time.

Ata që kurrë nuk më kanë kritikuar edhe kur kam çeduar në ndonjë rast, por më kanë dhënë mbështetje duke më bërë të jap më të mirën. Falënderoj shokët e ekipit me leksionet e vazhdueshme dhe mbi te gjitha familjen, që për mua ka qenë stimuli kryesor i punës. Mirënjohje përjetë. Kjo nuk është lamtumirë, është një mirupafshim, pasi ky Skënderbe shumë shpejt do të kthehet në elitë. Do të bëjë historinë në Europë dhe për ne do të jetë destinacioni i parë i kthesës”, shkruan Pëllumbi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!