Qeveria do të nisë brenda vitit zbatimin e dy projekteve që kanë të bëjnë me ujitjen dhe kullimin. Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi është ndalur në qarkun e Fierit, ku ka folur konkretisht edhe për skemat e shpëtimit të tokave nga përmbytjet.
Dy projekte të rëndësishme do të nisin brenda këtij viti në sektorin e bujqësisë. Lajmin e bëri publik ministri Niko Peleshi gjatë një vizite në qarkun e Fierit.
“Do fillojmë dy projekte të mëdha, të fuqishme, brenda këtij viti. Një projekt që ka të bëjë me rehabilitimin e dy skemave, dy degëve që furnizohen nga dega e Krutjes, rezervuari i Thanës. Njëra prej tyre furnizon zonën e Libofshës me ujë, dhe vendos nën ujë 1300 ha, ndërsa dega tjetër furnizon një zonë prej 300 mijë ha në Divjakë, ndërkohë me projektin shtesë të Bankës Botërore, që për pak kohë, brenda majit shpresoj do të ratifikohet në Parlament, një program prej 23 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilit, përfitohet nga kjo zonë, nga qarku i Fierit dhe një pjesë në zonën e Konispolit. Nga ai projekt ne do të shtojmë dhe 12 mijë ha të tjera”.
Në qarkun e Fierit janë financuar më shumë se 20 projekte të ujitjes dhe kullimit. Argument, i cili vazhdon të mbetet ende i mprehtë është ai i përmbytjeve.
“Ndërkohë, sfida tjetër, veç kullimit dhe ujitjes, është dhe ajo nga përmbytja. Kur kemi probleme të mëdha, me Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit kemi bërë disa ndërhyrje, brenda mundësive buxhetore që kemi, por ndërkohë kemi analizuar të gjitha pikat e nxehta, që rezultuan edhe pas dy përmbytjeve qe kemi patur në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit aktual”.
Këto ditë , një grup prej 10 ekspertësh nga Agjencia Kombëtare e Ujit e Turqisë, mundësuar nga qeveria turke, është duke inspektuar të gjitha hotspotet e Shqipërisë dhe pritet që ti japë shtysë realizimit të projekteve të qeverisë. /abcnews.al