Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar se do të ngrihet një njësi ushtarake të financuar nga SHBA. Peleshi u shpreh se pengesa teknike në këtë aspekt është gjetja e ekspertëve më të mirë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme, për shkak se tregu ofron paga të larta deri në 2 mijë euro. Ai theksoi se institucioni që do të hartojë politikat për mbrojtjen kombëtare është parashikuar të jetë pikërisht ministria që ai drejton.
“Edhe unë që jam i fushës nuk e dija për masën e ballafaqimeve në fushën kibernetike që vendi ynë ka. Ne jemi ende modest në mbrojtjen kibernetike duke filluar nga privatët dhe shtetërorë. Sulmet janë të përditshme me disa dhjetëra dhe qindra. Kemi një projekt nga SHBA që kap shifrën e 18 mln euro.
Do ngremë njësinë ushtarake kundër krimeve kibernetike. Jemi në sfidën si të rrisim kapacitetet tona njerëzore. Si të gjejmë ekspertë. Kemi rënë dakord me kryeministrin të parashikojmë bonuse të veçanta për disa kategori që nuk i blen dot në treg. Mbrojtja kibernetike është njësoj si mbrojtja e vendit. Ne nga mungon një institucion për mbrojtjen e politikave kombëtar. Kemi një agjenci. Por agjencia nuk bën politika dhe standarde. Nga bisedat me kryeministrin po shqyrtojmë mundësinë që ky institucion të jetë Ministria e Mbrojtjes”, tha Peleshi.
Ministri deklaroi se ka marrë informacion që disa kompani private që kanë rënë pre e sulmit kibernetik kanë paguar gjoba deri në dhjetëra mijëra euro me kriptomonedha.
“Kam marrë informacion edhe nga inteligjenca për disa kompani private që kanë paguar dhjetëra mijëra euro gjoba me kriptomonedha. Ne po mundohemi të bëjmë rolin tonë këtu. Ne do të shkojmë 96% në realizim. Nuk është e kënaqshme për mua. Ajo që duam të përmirësojmë në vitin në vijim është që të mos buxhetojmë asnjë projekt të padetajuar. Tradicionalisht e kemi bërë gabimin që parashikojmë projekte të padetajuara”, deklaroi ministri. m.v/Abcnews.al