Peleshi: Financime deri në 500 mijë lekë për hektar për investimet e reja në vreshtari

schedule12:13 - 5 Shkurt, 2018

schedule 12:13 - 5 Shkurt, 2018

Çdo investim i ri në vreshtari do të përfitojë deri në 500 mijë lekë për hektar financim nga qeveria. Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi ftoi fermerët të përfitojnë nga këto skema mbështetëse.

Qeveria shqiptare do të mbështesë me financime fermerët që kultivojnë vreshtarinë. Duke vizituar një fermë me vreshta në zonën e Mamurrasit, ministri i bujqësisë Niko Peleshi, shpjegoi për gjithë fermerët dhe agropërpunuesit, mundësitë e përfitimit nga këto skema financimi.

“Ne në skemën kombëtare kemi parashikuar 3 milionë lekë, e them me të vjetra, që të duken më shumë kuptohet, në fakt nuk janë pak, pra 3 milionë lekë për hektarë për vreshtat, 3 milionë e gjysëm për hektarë për rrushin autokton, 2 milionë për hektarë për vaditjen me pika, pra një vresht me rrush industrial apo tavoline dhe vaditja me pika në total merr rreth 5 milionë lekë për hektarë për investimet e reja. Pikat e grumbullimit,  e përsëris dhe njëherë, magazinat, pikat e grumbullimit, pikat frigoriferike, agropërpunimi deri në 200 millionë nga Skema kombëtare dhe deri në 2 milionë euro për ata më të mëdhenjtë që duan të rriten apo të investojnë në këtë fushë”.

Duke promovuar skemën e mbështetjes financiare për bujqësinë, ministri Peleshi e cilësoi ate si më të madhen dhe më të mirën, gjatë këtyre 27 viteve.

Ai theksoi edhe një marrëveshje me Universitetin Bujqësor të Tiranës, për trajnimin dhe kualifikimin e agronomëve, që do të këshillojnë fermerët./abcnews.al