Pelegrinët myslimanë mblidhen për Haxh në Arabinë Saudite

schedule10:20 - 19 Korrik, 2021

schedule 10:20 - 19 Korrik, 2021

Pelegrinët myslimanë të vaksinuar kundër koronavirusit, janë mbledhur të dielën për pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite.

Për të dytin vit radhazi ky ritual fetar kryehet në mënyrë të kufizuar për shkak të masave kufizuese anti Covid.

Të veshur me të bardha dhe duke bartur ombrella kundër motit të nxehtë, 60,000 shtetas sauditë dhe banorë të këtij vendi, kanë nisur kryerjen e riteve, të cilat i ka obligim t’i kryejë një herë në jetë secili mysliman që mund ta përballojë financiarisht udhëtimin.

Ndërkohë dy vite më parë, pjesë e Haxhit kanë qenë 2.5 milionë banorë.

“I lutem Zotit për t’i dhënë fund koronavirusit, na ka frikësuar shumë dhe e ka bërë situatën shumë të vështirë”, ka thënë pelegrini palestinez, Hassan Jabari për mediat e huaja.

Arabia Saudite, që vitin e kaluar ka lejuar vetëm disa mijëra persona që ta kryejnë Haxhin, është shtëpi e vendeve më të shenjta të Islamit, Mekës dhe Medinës.

Meqë koronavirusi është shqetësimi kryesor i këtij viti, autoritetet kanë kufizuar qasjen e pelegrinëve vetëm për moshat 18 deri në 65 vjeç, të cilët kanë qenë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, dhe nuk vuajnë nga sëmundjet kronike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!