Pekini kritikon vendimin e BE-së për të hetuar subvencionet për makinat elektrike kineze

schedule22:33 - 14 Shtator, 2023

schedule 22:33 - 14 Shtator, 2023

Kina kritikoi të enjten vendimin e Komisionit Evropian për të hetuar subvencionet për makinat elektrike, duke e quajtur “proteksionizëm” dhe paralajmëroi se kjo do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Aksionet e kompanive kineze të prodhimit të makinave elektrike ranë pas vendimit të BE-së për hetimin e subvencioneve të tyre.

Reagimi i ashpër i Kinës ishte në përgjigje të një njoftimi të mërkurën nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, për një hetim mbi makinat elektrike kineze dhe mundësinë e vendosjes së tarifave ndaj tyre.

“Tregjet globale tani janë përmbytur nga makinat elektrike kineze me çmime të ulëta. Dhe çmimet e tyre mbahen artificialisht të ulëta nga subvencionet e mëdha shtetërore. Kjo po dëmton tregun tonë dhe pasi ne nuk i pranojmë këto praktika brenda tregut tonë, ne nuk do t’i pranojmë ato as nga kompanitë e huaja”, tha Von Der Leyen të mërkurën.

Ministri francez i financave, Bruno Le Maire mirëpriti vendimin e Komisionit Evropian për të hetuar subvencionet e kompanive kineze të prodhimit të makinave elektrike.

“Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj ekonomike. Nëse këto subvencione të kompanive kineze të prodhimit të makinave nuk janë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, atëherë Evropa duhet të marrë masa”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi të mërkurën në Berlin me homologun e tij gjerman Robert Habeck, i cili shprehu të njejtin qëndrim lidhur me këtë çështje.

“Nëse hetimi zbulon se ka patur shkelje, atëherë Bashkimi Evropian do të duhet të diskutojë mbi masat që duhet ndërmarrë kundër tyre”, tha ministri gjerman i financave, Robert Habeck.

Komentet e dy ministrave evropianë dhe ato të Presidentes së Komisionit Evropian shkaktuan një rënie të aksioneve të prodhuesve kinezë të makinave elektrike.

Kjo ka nxitur paralajmërimet e analistëve për veprime hakmarrëse nga Pekini, si dhe kundërpërgjigje nga drejtuesit e industrisë kineze, të cilët thonë se avantazhi konkurrues i këtij sektori kinez nuk ishte nxitur nga subvencionet.

“Kina do të ndjekë nga afër prirjet proteksioniste të Evropës dhe hapat e saj të ardhshëm dhe do mbrojë me vendosmëri të drejtat legjitime dhe interesat e kompanive kineze”, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, He Yadong.

Udhëheqësit e Kinës kanë ndihmuar që vendi të bëhet një nga tregjet më të mëdha të makinave, duke investuar miliarda dollarë në subvencione për të krijuar një avantazh të hershëm në industrinë e prodhimit të makinave elektrike.

Prodhuesit globalë të makinave po përballen me një konkurrencë në rritje në rajonet e tyre nga kompanitë kineze, të cilat kanë rritur eksportet e makinave elektrike për shkak të rënies së kërkesave në Kinë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropianë besojnë se automjetet elektrike kineze po ulin çmimet e modeleve vendase me rreth 20 për qind në tregun evropian, duke rritur trysninë mbi kompanitë evropiane për të prodhuar automjete elektrike me kosto më të ulët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!