Pedri Gonzales është një nga zbulimet e mëdha të këtij kampionati Europian. Talenti i Barcelonës ka shkëlqyer në gjithë sezonin në fakt, duke luajtur thuajse në çdo ndeshje me katalanasit nën drejtimin e Ronald Koeman.
Talenti spanjoll u ble nga Barcelona në verën e vitit 2019 për një shifër fillestare prej pak më shumë se 7 milionë eurosh, por tashmë vlera e operacionit ka shkuar në 20 milionë euro sepse Pedri i ka arritur pjesën më të madhe të bonuseve të përfshirë në marrëveshje.
Një prapaskenë zbulohet për 18-vjeçarin. Ai mund të ishte një lojtar i Bayern Munchen ende pa debutuar me Barcelonën. Në fund të sezonit 2019-2020 Barcelona e riktheu nga huazimi nga Las Palmas Pedrin dhe ishte gati ta bënte pjesë të ekipit të parë.
Por ende pa e bërë këtë, Bayern Munchen e kishte pikasur talentin e Pedrit dhe iu drejtua direkt me ofertë, për të tentuar të përfitojë nga situata ekonomike e vështirë e katalanasve. 45 milionë ofruan gjermanët për Pedrin dhe Barcelona i refuzoi menjëherë. Kishte të drejtë sepse Pedri tani është paçmueshëm. /abcnews.al