Pediatria e Re hap dyert, Manastirliu: Do të ketë kapacitete të dyfishuara

schedule12:49 - 6 Janar, 2022

schedule 12:49 - 6 Janar, 2022

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu  të shoqëruar nga drejtoresha e QSUT-së Albana Fico kanë monitoruar ambientet e pediatrisë së re.

Manastirliu është shprehur se ky është një ndër investimet më moderne që i kanë dhënë një tjetër pamje këtij spitali, ku fëmijët tashmë do të marrin shërbim në kushte bashkëkohore.

Në fjalën e saj ministrja ka bërë me dije se tashmë në këtë spital do të jenë tre shërbime esenciale, me dy korridore të emergjencës, ku observacioni në kapacitetet e tij shkon në 30 shtretër në pikun e tij, në verë dhe në dimër.

LEXO EDHE: Rama: Pagesa në shëndetësi rritet në bazë të performancës së vetë mjekëve

Ndër të tjera ajo ka theksuar se ambientet dhe rikonstruksioni i QSUT-së është në fokus të punës së tyre.

Sot po bëhet realitet një pjesë e ëndrrës së shumë punonjësve të shëndetësisë. Kjo nuk është më thjesht një godinë e re, por një projekt modernizimi dhe cilësor për shërbimin e shëndetin e fëmijës. Është përfundimi i fazës së parë të asaj pune që ne kemi përpara në këtë drejtim. Ky shërbim mbart tre shërbime esenciale, me dy korridore të emergjencës. Observacioni në kapacitetet e tij shkon në 30 shtretër në pikun e tij, në verë dhe në dimër. Unë jam e bindur që ekipi i urgjencës do ta çojnë përpara këtë shërbim duke u kujdesur edhe për injektimin e një kulture të re pune.

E djeshmja është godina që kemi ngjitur ndërkohë që e sotmja është këtu. Do të ketë kapacitete të dyfishuara në raport me ato aktualet, do t’i përgjigjemi 30 viteve të ardhshme. Jam e kënaqur që do kemi zona të veçanta për neo-natët, fëmijët, dhe raste që kërkojnë izolim për arsye të sëmundjeve infektive. Shërbimi i kirurgjisë infantile me katër salla operacioni. Nuk ka asnjë dallim nga investimi që kemi bërë në spitalin kirurgjikal “Frederik Shiroka”. Në thelb ky investim është një busull orientuese për shërbimin e pediatrisë në nivel kombëtar, për strategjinë e shëndetësisë. Në fazën e dytë do fillojmë me rehabilitimin e godinës ekzistuese. Ishim mësuar t’i shihnim spitalet si tregje shumice dhe kioska qoftesh. Por brezat që do vijnë do t’i dëgjojnë këto histori si përralla nga e kaluara.

Në QSUT ne jemi në mesin e punës dhe kemi sfida të mëdha para do të përfundojmë ndërtimin e spitalit të ri për sëmundjet e brendshme, do të rikonstrukturojmë spitalin infektiv, për të qenë në gjendje për të përballur emergjencat që mund të na vijnë. Nuk jemi të fokusuar vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë”, është shprehur Manastirliu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!