Fjalimi emocionues i presidentit ukrainas para eurodeputetëve: Ditë tragjike, po luftojmë për lirinë

schedule12:58 - 1 Mars, 2022

schedule 12:58 - 1 Mars, 2022

Po zhvillohet seanca e jashtëzakonshme në Parlamentin Evropian, ku po diskutohet lufta në Ukrainë nga Rusia dhe masat që do merren. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka prekur të gjithë sallën me fjalimin e tij teksa foli mbi pushtimin rus të vendit të tij, që ka hyrë sot në ditën e gjashtë.

Ne do të fitojmë dhe jam i lumtur që ju nuk jeni vetëm duke folur për këtë por po e shikoni. Ky mengjes ishte tragjik për ne. Më shumë se 20 universitete janë në qytetin që u godit. Shumë të vdekur. Ky është çmimi i lirisë. Ne jemi duke luftuar për tokën tonë dhe për lirinë tonë. Ne po luftojmë për të mbijetuar. Ne jemi duke luftuar gjithashtu që të jemi anëtarë të barabartë në Europë. Besoj se sot ne do t’u tregojmë të gjithëve se kush jemi. Pa ju Ukraina do  të jetë e vetme. Ne kemi treguar forcën tonë. Ne kemi provuar se ne jemi njësoj si ju. Tregoni se jeni me ne. Tregoni se nuk do na lëshoni. Atëherë jeta do të fitojë mbi vdekjen”, tha ai.

Zelensky ka shtuar se: “Çdo ditë për dikë mund të jetë dita e fundit. Unë flas për qytetarët e mi që mbrojnë lirinë me çmim të lartë. Ne e dinim se do të kishte një çmim për të paguar, por tragjedia që po përjetojmë është e madhe. Jam i lumtur që shoh këtë unitet të BE-së, por mijëra njerëz janë vrarë. Jemi nën bombardime, nën sulm me raketa. Ka qenë një mëngjes tragjik. Ne po japim jetën për lirinë: nuk e dija se çmimi për të paguar, do të ishte kaq i lartë”, theksoi ai.

Në nisje të seancës, kryetarja e PE ka dhënë lajmin se do të nisin hetimet për krime lufte në Ukrainë, lajm i cili është pritur me duartrokitje nga eurodeputetët.

Në hapjen e seancës speciale të parlamentit ka pasur skena emocionuese. Seanca nisi me duartrokitje nga të pranishmit të cilët u ngritën në këmbë për ambasadorin e Ukrainës. Disa mbanin të veshura bluza me flamurin e Ukrainës.

Lexo edhe: Presidenti ukrainas i drejtohet PE-së: Askush nuk do të na thyejë, tregoni që jeni me ne

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mesola, falënderoi Presidentin Zelensky, i cili u bashkua PE përmes një lidhje live.

“Zoti President faleminderit që i treguat botës se çfarë do të thotë të ngrihesh në këmbë. Faleminderit që na kujtuat për rreziqet e vetëkënaqësisë”,  tha ajo në një fjalim, ku vlerësoi heroizmin e popullit ukrainas që mbrojti vendin e tyre.

Mesola tha gjithashtu se parlamenti mirëpret kërkesën e Ukrainës për t’u bërë anëtare e BE-së dhe do të punonte për ta bërë atë realitet.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!