PE kërkon kushte shtesë për përdorimin e mjeteve nga plani i BE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor

schedule15:31 - 13 Shkurt, 2024

schedule 15:31 - 13 Shkurt, 2024

Parlamenti Evropian (PE) e ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian (KE) për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare.

Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian, shkruan REL.

Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor.

Të martën u paraqit edhe propozim rezoluta legjislative për rregulloren për themelimin e planit për reforma dhe rritje ekonomike. Për këtë u debatua të njëjtën ditë gjatë një takimi të përbashkët të komisioneve të PE-së për Politikë të Jashtme dhe për Buxhet.

Parlamenti Evropian, krahas kushtëzimeve që i ka propozuar më herët edhe Komisioni, ka kërkuar edhe masa shtesë, me të cilat do të kushtëzohej përdorimi i mjeteve financiare nga ky plan, në mënyrë që të sigurohet më mirë mbrojtja e interesave të Bashkimit Evropian.

Ndër kushtet kryesore për përdorimin e këtyre mjeteve janë sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i vlerave themelore e demokratike.

Parlamenti Evropian ka kërkuar që, mes tjerash, përdorimi i mjeteve të kushtëzohet edhe me mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!