Me anë të një ankese të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës kërkon rinumërim të votave me arsyetimin se shumë vota të këtij subjekti kanë shkuar për parti të tjera. Ndërkohë, misioni i Bashkimit Europian për vëzhgimin e zgjedhjeve në vend deklaroi se Lista Serbe ka ndërhyrë tek votimi i qytetarëve në disa raste.
Mediat në Kosovë raportojnë se Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar një ankesë në PZAP, për arsye se pretendon se kanë ndodhur disa parregullsi gjatë numërimit të votave. Lajmi për Gazetën Express është konfirmuar nga Mul Desku, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas tij, tashmë PZAP-i është duke u marrë me ankesën e PDK-së, megjithatë Desku thotë se nuk mund të konfirmojë asgjë nëse qëndron diçka prapa pretendimeve të PDK-së për parregullsi.
Ndërkohë, Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, në një deklaratë për Gazetën Express konfirmoi se kanë kërkuar rinumërim, pasi pretendojnë që rreth 1000 vota të PDK-së kanë kaluar te partitë e tjera, si pasojë e një difekti në formularët e KQZ-së.
Ndërkohë, në KQZ tashmë procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit kur kanë mbetur pa u numëruar edhe më pak se 2 për qind të votave. LVV-ja ka dalë e para, LDK-ja e dyta, ndërkohë PDK-ja e Kadri Veselit e treta. Veseli në një konferencë për media në orët e vona të 6 tetorit e ka pranuar humbjen dhe ka thënë se partia e tij do të shkojë në opozitë.
Nga ana tjetër misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, në njëkonferencë për shtyp ndër të tjera u shpreh se se procesi zgjedhor I 6 tetorit ka qenë i qetë dhe me incidente të izoluara.
Ky mision ka hasur në parregullsi sa i përket ndërhyrjes ndaj kandidatëve të opozitës serbe të Kosovës prej Listës Serbe dhe në disa pjesë të Kosovës është tentuar që të imponohet vota për Listën Serbe. /ABC News Albania 24/7