PDK i përgjigjet Kurtit: Nuk ka pasur mobilizim të partive opozitare kundër qeverisë

schedule22:55 - 19 Nëntor, 2021

schedule 22:55 - 19 Nëntor, 2021

Nga Linda Karadaku-Emisioni Ballkan

Kosova përmbylli raundin e dytë të zgjedhjeve lokale duke shënuar rikthimin e fortë të PDK-së dhe LDK-së, si dy partitë e para në vend. Blerta Deliu, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për emisionin Ballkan se partia e saj ka punuar në ekip dhe duke qenë në një situatë të vështirë, me hyrjen në zgjedhje pa dy nga figurat e saj historike, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e partisë Kadri Veseli.

Të gjitha prioritetet i kemi zhvendosur në sfida programore, në qasje të axhendave tona lokale që të punojmë dhe të jemi sa më afër qytetarëve” thotë Deliu. Zyrtarja e PDK-së vlerëson procesin zgjedhor duke theksuar vendosjen e standardeve më të mira. “Ne po etablojmë në këtë formë edhe këtë fazë të demokratizimit të shtetit të Kosovës, duke shënuar një proces fer, demokratik, madje për mua, ka qenë për tu vlerësuar edhe fakti që edhe ata kandidatë që kanë humbur garën e tyre lokale, natyrisht, kanë shfaqur respektin që të përgëzojnë, të urojnë kandidatët e tjerë për fitoren, dhe ky është një standard i mirë që ne po e ndërtojmë si shtet që i ndihmon demokratizimit të Kosovës”. Deliu hedh poshtë edhe deklaratën e kryeministrit Kurti për bashkimin e të gjithëve kundër Vetëvendosjes, duke shpjeguar kështu humbjen e partisë së tij në zgjedhje.

Nuk mendoj që është tërësisht ajo që e ka thënë kryeministri sepse zgjedhjet e fundit lokale na kanë thënë hapur edhe bashkëpunimin pozitë-opozitë, kemi pasur disa komuna ku ka pasur bashkëpunim të Lëvizjes Vetëvendosje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, aty ku pushteti, kryetari i bashkisë ose i komunës ka qenë i njërës parti, kemi pasur bashkëpunim të partive të tjera. Nuk ka pasur një mobilizim të partive opozitare kundër qeverisë, ka pasur një mobilizim qytetar ndaj kryetarëve të atyre komunave të cilët nuk janë angazhuar për të përmirësuar jetën e qytetarëve”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!