PDK bojkoton kryesinë e Kuvendit të Kosovës, Osmani: Bojkoti është politik

schedule13:17 - 10 Shkurt, 2020

schedule13:17 - 10 Shkurt, 2020

Partia Demokratike në Kosovë bojkotoi të hënën mbledhjen e kryesisë së parlamentit, pasi kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka hequr nga zyra e saj fotografinë e presidentit Thaçi. Osmani tha pas mbledhjes së kryesisë se PDK ka filluar bojkotin ndaj institucioneve më 3 shkurt dhe se ky bojkotim, sipas saj, është politik.

PDK reagoi ndaj heqjes së fotografisë së presidentit Thaci nga zyra e kryeparlamentares, por Osmani tha se heqja e fotografisë së Hashim Thaçit nga zyra e saj është tashmë temë e mbyllur.

Osmani ftoi PDK-në që t’i kthehet Kuvendit duke theksuar se kjo është përgjegjësi institucionale dhe kjo parti opozitare duhet t’i përgjigjet për shkak të interesave të qytetarëve. Kryesia e kuvendit ka diskutuar propozimet për komisionet parlamentare dhe ndryshimin e tyre nga 16 në 14 për shkak të zvogëlimit të numrit të ministrive, ndryshime që duhet të kalojnë në parlament në seancën e së enjtes, por kërkojnë votën e 2/3 të deputetëve.

Osmani tha se nuk e sheh si problem bojkotin e PDK-së për të kaluar ky votim. Ajo konfirmoi se PDK-së i kanë takuar tri komisionet që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e punës së Qeverisë siç është ai i mbikëqyrjes së financave publike dhe agjencia e inteligjencës./abcnews.al