Partia Demokratike përserit akuzat drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për betonizimin e parkut të liqenit artificial. Zëdhënësja Ina Zhupa, publikoi një video të realizuar nga punonjës të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe sfidoi kryebashkiakun të ballafaqohet me fakte.
Kjo video e publikuar nga Partia Demokratike, sipas zëdhënëses Ina Zhupa, është realizuar nga një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për të treguar planin për betonizimin e liqenit artificial në Tiranë. Bëhet fjalë për zonën e emërtuar “Tr 169” ku Zhupa tregon se është planifikuar ndërtimi i kullave mbi nëntë kate, të cilat do të përdoren për banim, mjedise zyrash e shërbimi.
Ina Zhupa, zëdhënëse e PD:“Video ishte shumë e qartë. Kemi të bëjmë me një plan të qartë në shërbim të mafias së ndërtimit dhe pastrimit te parave që përgatiten ti kryejnë një krim mjedisor Tiranës dhe shëndetit të qytetarëve dhe një vjedhje të pashembullt të tokës publike. E sfidoj publikisht Erion Veliajn që të ballafaqohemi me fakte për këtë plan betonizimi dhe të mos fshihet pas propagandës sepse qytetarët nuk i besojnë më mashtrimet e tij.”
Në këtë zonë aktualisht ndodhet Garda e Republikës, oborri i saj dhe pjesa e gjelbër e qytetit./abcnews.al

