PD vendos të votojë pro zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut, negociatat e ethshme japin rezultat

schedule09:48 - 10 Shkurt, 2022

schedule 09:48 - 10 Shkurt, 2022

Demokratët duket se do të votojnë pro projekligjit për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut. Gazetari Juxhin Mustafaraj bën me dije për abcnews.al se kryedemokrati Lulzim Basha është duke zhvilluar një mbledhje me kryesinë e Grupit Parlamentar të PD ku i ka thënë të pranishmëve për të udhëzuar deputetët që të mbështesin çdo hap për drejtësi pa kompromis.

“Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur Shqipëria nuk do te këtë progres ekonomik dhe as në rrugën drejt integrimit”, mësohet të jetë shprehur ai.

Kryesia e Grupit të PD-së përbëhet nga 4 nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe krerët e komisioneve parlamentare. Ndërkohë, mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së nuk ka nisur ende pasi pritet të përfundojë takimi i mësipërm.

Lexo edhe: Shtyrja e “Vetting-ut”, zbardhen negociata e Bashës me BE e SHBA, si do votojë PD në Kuvend?

Ditët e fundit janë karakterizuar nga negociata të ethshme të ndërkombëtarëve me Partinë Demokratike dhe atë socialiste, ku secila palë të bëjë lëshimet e nevojshme për të arritur në një konsensus që do të çonte në zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.

Burime për Abcneës.al, bëjnë të ditur se lideri i PD-së, Lulzim Basha ka pasur mbrëmjen e djeshme negociata me zyrtarë të lartë të prezencës së BE dhe SHBA në Tiranë, për të votuar pro zgjatjes së “Vettin-gut”.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Basha parimisht ka deklaruar se nuk do të bëhet pengesë për drejtësinë. Megjithatë gjithçka pritet të vendoset sot në Kuvend. Ndër të tjera, Basha ka theksuar se dy prej prioriteteve kryesore të saj janë reforma territoriale dhe reforma zgjedhore.

Lexo edhe: Prova “e fundit” e PD-së pak para Kuvendit, Basha mbledh grupin në prag të votimit për zgjatjen e “Vetting-ut”

Nga ana tjetër situata duket më e qartë në kampin e Berishës, të cilët në daljet e tyre kanë deklaruar votën kundër. Deputeti Edi Paloka shprehu qëndrimin e tij kundër ndonëse nesër nuk do të jetë në Kuvend për të votuar. Madje, ai shkoi edhe më tej duke thënë se nesër do të jetë një tjetër provë se kush është opozita e vërtetë e vendit.

Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Sipas burimeve përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.

Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.

Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.

Selitë diplomatike të SHBA, BE, Mbretërisë së Bashkuar apo edhe Gjermanisë në vendin tonë dje iu drejtuan me thirrje të njëpasnjëshme Kuvendit për të ngritur “kartonat” pro zgjatjes së vetting-ut për të krijuar në një farë mënyre edhe bindjen se kjo kërkesë nuk vjen nga socialistët por ka lidhje me fatin e përbashkët të vendit.

Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se duhet zgjatja e mandatit pasi ky proces i filluar nga ky komision pra vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mbyllet nga po ky komision.