PD: Vendimi i Gjykatës së Durrësit, simbol i drejtësisë private të Ramës

schedule15:00 - 22 Korrik, 2019

schedule 15:00 - 22 Korrik, 2019

Tre vjet pas miratimit të reformës në drejtësi nuk është ndëshkuar asnjë zyrtar i lartë. Konstatimin e bëri sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata. Duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës së Durrësit, demokratët akuzojnë kryeministrin se e ka shndërruar këtë sistem në drejtësi private.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të ndryshuar një vendim pa e apeluar atë ka një simbolikë për Partinë Demokratike.

“Është simboli i drejtësisë private që ka ngritur Edi Rama. Vendimi skandaloz, i paprecedentë në historinë e qytetërimit perëndimor, ku vendimi i gjykatës ndryshohet të nesërmen nga e njëjta gjykatë, sipas interesit të kryeministrit, është dëshmia më tronditëse për kapjen totale të drejtësisë nga Edi Rama dhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes”.

Tre vjet pas miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese nuk është ndëshkuar asnjë zyrtar i lartë- u thotë sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike shqiptarëve.

“Asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë publik, asnjë politikan nuk ka dalë para drejtësisë për vjedhjen e përditshme të shqiptarëve”.

Zgjidhja që përsërisin demokratët është një drejtësi e cliruar që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, që mundësojnë qeverisje në interes të qytetarëve dhe çojnë përpara axhendën europiane të Shqipërisë. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!