Partia Demokratike ka deklaruar se ndërsa policia e shtetit është ngritur e gjitha në këmbë për të mbrojtur të vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Shqipëria është e zhytur në kaos. Janë pesë të vrarë vetëm në 24 orë, thekson opozita, ndërkohë që vartësit e Fatmir Xhafës flasin për ulje të krimit.
Ndërkohë që policia është ngritur në këmbë për të mbrojtur vëllanë e eprorit të tyre ministrit Fatmir Xhafaj, Shqipëria është e zhytur në kaos dhe kriminalitet. Deklarata erdhi nga Partia Demokratike.
“Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 5 persona dhe plagosur disa të tjerë. Jo ditë pas ditë, por orë pas ore vendi është në panik në pasiguri të plotë.. Ndërsa policia është vendosur e gjitha në shërbim të vëllait të Ministrit të Brendshëm, puna e saj është si të fabrikojë prova kundër një gazetari, kundër medias, denoncuesve dhe opozitës”.
Pesë të vrarë vetëm për 24 orë ndërsa vartësit e Fatmir Xhafës flasin për ulje të krimit, thekson Duma e cila një thirrje ia drejton efektivëve të policisë së shtetit.
“Partia Demokratike i bën thirrje atyre burrave dhe grave që rrezikojnë jetën në detyrë që të kryejnë detyrën e tyre pavarësisht tradhtisë që iu bëjnë drejtuesit politikë të ministrisë së Xhafajt. Koha e tyre po mbaron.Partia Demokratike garanton shqiptarët, por veçanërisht ata burra dhe gra të ndershëm në policinë e shtetit që sakrifikojnë të mos shiten, që shumë shpejt policia e shtetit do të kthehet në funksionin e saj”.
Shqipëria është në duart e krimit, sepse krimi është mendësia me të cilën qeveris Edi Rama sipas demokratëve dhe ky ka qënë paralajmërim i opozitës që po provohet dita ditës, përfundon Duma. /abcnews.al