PD shkon në zgjedhjet e pjesshme e përçarë, ekspertët: Ndarja do të sjellë kandidatë më të fortë

schedule12:10 - 24 Janar, 2022

schedule 12:10 - 24 Janar, 2022

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit do të komunikojë ligjërisht vetëm me PD-në zyrtare.

Në mbledhjen e parë përgatitore në KQZ, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi bëri të ditur se njohjen e ndryshimeve në PD duke legjitimuar si përfaqësues të saj Indrit Sefën, Sekretar për çështjet ligjore e zgjedhore si edhe Marash Logun, duke ia hequr këtë përfaqësim Ivi Kasos, i cili është rreshtuar me grupin e Berishës.

Në një bisedë me Sibora Bitrin në “Abc Live”, Bledar Skënderaj ekspert për zgjedhjet u shpreh se lëvizja në PD ishte e pritshme ndërsa shtoi se debati do të thellohet kur të fillojnë regjistrimet e subjekteve zgjedhore.

Por si pritet të ndikojë përçarja në PD në rezultatin e zgjedhjeve për të djathtët? Ledio Braho, jurist dhe ekspert për zgjedhjet u shpreh se një krizë të tillë, sidomos në periudha zgjedhore, parti politike shqiptare nuk kanë pasur.

Megjithatë, ai e cilësoi si pozitiv vendimin e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje ndërsa parashikoi një garë të fortë.

“Pritet një garë e fortë. Ky është hap pozitiv për PD, që do të marr pjesë në këto zgjedhje. Një hap pozitiv, që ofron pluralizëm. Ndarja në PD, do të sjellë edhe kandidatë më të fortë për të treguar forcën.”

Duke marrë parasysh se një pjesë e mirë e bashkive pa kryetarë kanë mbetur me vakancë për shkak se të zgjedhurit në krye të tyre ranë në rrjetën e dekriminalizmit, Braho u bëri thirrje partive që kësaj radhe të kandidojë kandidatë të pastër.

“Dekriminalizmi ka qenë një propozim që ka sjellë pasoja pozitive për klasën politike. Ka pasur raste të shumta skualifikimesh. edhe në këto zgjedhje disa prej bashkive janë vakante sepse të zgjedhurit kanë pasur probleme penale në të shkuarën. Mospasja e figurave të tilla në garë sjell një barazi për garën. Shpresoj që deri në 9 shkurt të mos kemi raste të tilla se mund të sjellin vakanca. Të ndërgjegjësohen dhe të çojnë kandidatë të pastër.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!