PD: Rama zhvillon tender fasadë 15 milionë euro

schedule12:51 - 31 Tetor, 2018

schedule 12:51 - 31 Tetor, 2018

Nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, demokratja Jorida Tabaku akuzoi kryeministrin Rama për tenderin, sipas saj korruptiv, në favor të kompanisë kroate, që u shpall fituese për menaxhimin e faturimit të bizneseve.

Tenderi i fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomik Jehona Software, Datech dhe Neos me vlerë 15 milionë euro për kontrollin online të faturave tatimore të bizneseve, sipas Partisë Demokratike është haptazi korruptiv dhe kjo për Jorida Tabakun vërtetohet nga vetë dokumentat publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

“Tregojnë se në tenderin fasadë prej 15 milionë euro kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar  skemën korruptive”.

Një nga dy ofertat ishte ajo e BNT Electronics me çmim lehtësisht më të lartë se ajo e ofertës fituese.

“Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë, në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh”.

Kjo për të mundësuar plotësimin e kriterit të çmimit më të ulët për fituesin, theksojnë demokratët. Për këtë shërbim, kompania B360 merr shpërblimin e saj, sipas Tabakut.

“Jo pak, por 15.6 milionë euro tendera i ka dhënë qeveria e Edi Ramës baxhanakut të Edi Ramës nëpërmjet ortakut të baxhanakut”.

Selia blu paralajmëron se do t’i shkojë në fund asaj që quan aferë korruptive, duke zbuluar skemën sesi kompania kroate u bë fituese e tenderit që sipas llogarive të demokratëve do t’i kushtojë çdo biznesi 600 deri në 1000 euro shpenzime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!