PD: Rama propozon kunatin e Xhafajt si gjyqtar në Strasburg

schedule13:39 - 29 Korrik, 2018

schedule 13:39 - 29 Korrik, 2018

Partia Demokratike i konsideron kandidaturat e propozuara nga qeveria për në Gjykatën e Strasburgut si tërësisht nën kontrollin e kryeministrit Rama dhe të përzgjedhura në një proces të korruptuar politikisht.

“Qeveria shqiptare ka krijuar një situatë të paprecedentë në marrëdhënien e shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke bllokuar prej 2 vitesh emërimin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut. Pavarësisht refuzimit disa herë nga Këshilli i Evropës të standardit të përzgjedhjes politike dhe korruptive të kandidatëve për gjyqtarë, Edi Rama nuk heq dorë. Për të pestën herë propozon si kandidat për gjyqtar në Strasburg kunatin e Fatmir Xhafës, Sokol Berberin, që është refuzuar me votë disa herë nga Këshilli i Europës dhe i është shmangur Vettingut. Edi Rama po shpërblen edhe Fondacionin SOROS për ndihmën e vyer që i dha për projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Kandidati tjetër alternativ që propozon qeveria shqiptare për gjyqtar në Strasburg është Darien Pavli. Si drejtues i SOROS, ka qenë Koordinator i Sekretariatit Teknik që ndihmoi Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të hartonte paketën ligjore të kapjes së drejtësisë. Nëpërmjet dërgimit në Gjykatën e Strasburgut të personave të besuar dhe të kontrolluar prej tij, Edi Rama kërkon t’i përdorë ata si kamikazë në vendimmarrje të rëndësishme kundër interesave të qytetarëve shqiptarë, siç janë çështjet për respektimin e të drejtave themelore të njeriut në përgjithësi dhe të drejtës së pronës në veçanti”, deklaroi sot Gazment Bardhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!