Një tjetër denoncim ka ardhur nga Partia Demokratike për subjektin Fusha Shpk që do të zbatojë projektin e ri për tetarin kombëtar. Deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se pronari i Fusha Shpk ka lidhje gjaku me një trafikant ndërkombëtar droge. Demokratët kërkojnë zbatimin e ligjit antimafia për këtë kompani.
Nuk ka mbaruar Partia Demokratike me denoncimet për kompaninë e përzgjedhur nga qeveria qendrore dhe ajo vendore për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
“Shkëlqim Fusha, pronari i Fusha shpk dhe mik personal i Edi Ramës, është djali i xhaxhait të një trafikanti ndërkombëtar droge, Sulejman Fushës, i rikapur disa muaj më parë në Alikante të Spanjës për 75 kg heroinë, por ky fakt u mbajt i fshehur nga ministria e Fatmir Xhafës.
Partia Demokratike nuk do të bëntë kurrë përgjegjës dikë për veprimet antiligjore të një të afërmi të tij, por lidhjet e Fusha shpk me djalin e xhaxhait trafikant ndërkombëtar droge prej më shumë se 20 vjetësh, kanë një hallkë të fortë- ish kryeprokurorin e Tiranës Petrit Fusha”.
Petrit Fusha, që deri dje drejtonte Prokurorinë e Tiranës, është vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës, menaxhon një resort të njohur në periferi të Tiranës dhe mbyll dosjet penale për Erion Veliajn dhe qeverinë e Edi Ramës sipas deklaratës nga selia blu.
“Kryeprokurori Fusha, vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës, mbylli dosjen e Ardit Gjoklaj, ku Bashkia kishte përgjegjësi penale. Pas kësaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj i dhanë Çim Fushës ndërtimin e sheshit Skënderbej dhe parkingut privat atje. Të gjithë e kanë parë në atë kohë foton, kur Veliaj drekonte me vëllain kryeprokuror të trafikantit të drogës.
Petrit Fusha ka mbyllur shumë dosje të tjera qeveritare të ministrave më të korruptuar të Edi Ramës, Ilir Beqjes dhe Damian Gjiknurit. Nga ministria e Gjiknurit kompania Fusha ka marrë vetëm këtë vit dy punë të mëdha: konçesionin e Kalivaçit dhe Bulevardin e Vlorës”.
Të gjitha këto për demokratët janë tregues se kompania Fusha është subjekt i ligjit antimafia dhe subjekt që mund të pastrojë paratë e pista të drogës dhe trafiqeve. /abcnews.al