Partia Demokratike, me anë të një postimi në Twitter ka reaguar në lidhje me planin e masave social-ekonomike që kryeministri Rama shpalosi mbrëmjen e së enjtes.
Në reagimin e postuar në Twitter, PD thotë se e konsideron planin si të domosdoshëm, por propozimi i qeverisë, sipas opozitës, ka nevojë urgjente për transparencë.
Postimi:
“PD e konsideron planin e masave social-ekonomike si të domosdoshëm për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirus. Propozimi i Qeverisë ka nevojë urgjente për transparencë dhe për t’u detajuar.”
Kryeministri Rama shpalosi planin e masave social-ekonomike që do të ndërmerret për të përballuar krizën e krijuar nga koronavirusi në vend disa orë më parë.
Gjatë fjalës së tij, Rama sqaroi se ky plan përbëhet nga 7 pika:
-Së pari 2.5 mld ose 25 milion dollarë, për luftën në vijën e zjarrit, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje dhe materiale mjekësore, apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.
– 10 mld lekë ose 100 milion dollarë, përmes instrumentit të një garancie sovrane, për komapnitë që kanë vështirësi objektive, për të paguar pagat e punonjësve të tyre.
– 6.5 mld lekë ose 65 milion dollarë, për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës.
– 2 mld lekë ose 20 milion dollarë, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.
– 1 mld lekë ose 10 milion dollarë, si fond rezervë, për Këshillin e Ministrave për cdo urgjencë të paparashikuar.
– do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me fekt financiar deri në 15 miliard lekë ose 150 milion dollarë, dhe nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë.
– Do të ri-skedulojmë në 6 –mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim-fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2-14 mln lekë.
-Shtyrja e ddorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtpërdrejtë, do të përfshihet nesër me të gjithë të tjerat, datë 20.03.2020 si pjesë e aktit normativ për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit 2020.