Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka paraqitur dokumente që sipas tij vërtetojnë se kryebashkiaku socialist i Vorës, Agim Kajamaku është i njëjti person i arrestuar në Greqi nën identitetin Jorgo Toto për falsifikim parash. Bardhi i kërkoi organit të akuzës të mos zvarrisë verifikimin për kryebashkiakun e PS ndërkohë që informoi se demokratët kanë informuar ndërkombëtarët mbi shkeljet që po kryen prokuroria.
Pretendimeve të kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku se dënimi i një personi me emrin Jorgo Toto nuk e lidh drejtpërdrejtë me atë ngjarje, Partia Demokratike iu përgjigj me dokumente zyrtare. Numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi publikoi kopjen autentike të pasaportës së Agim Kajmakut me emrin Jorgo Toto për të vërtetuar se bëhet fjalë për të njëjtin person.
Gishtin e akuzës sekretari i Përgjithshëm i PD e drejtoi edhe te organi i akuzës, i cili edhe pse ka të gjithë mundësitë të marrë shenjat e gishtërinjve në sistem për shkak se ata posedojnë pasaporta biometrike, sipas demokratëve bën “show” duke thirrur vetë kryebashkiakët e PS.
Në dijeni për zvarritje të hetimeve janë vënë edhe ndërkombëtarët. Rasti i kryebashkiakut socialist të Vorës është denoncuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike e cila ka paraqitur edhe dokumentet e dënimit të tij në Greqi për falsifikim në mungesë, dënim të cilin nuk e ka kryer pasi u largua nga shteti grek./ABC News Albania 24/7