Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut përmes një zëdhënësi të saj deklaroi për mediat se qeveria shqiptare në vitin 2014 ishte përpjekur përmes “qasjeve të papërshtatshme” dhe takimeve zyrtare të siguronte një shtyrje të shqyrtimit të çështjeve të depozituara në Strasburg për kthimin dhe kompensimin e pronave-fatura e të cilave kërcënonte me falimentim financat e shtetit shqiptar. Partia Demokratike këtë e konsideroi tregues të asaj që bën qeveria me reformën në drejtësi.
“Një përpjekje e tillë është jo vetëm e turpshme për një qeveri që këndon gjithë ditën refrenin e reformës në drejtësi, por mbi të gjitha është akti më domethënës se çfarë përfaqëson Rama dhe qeveria e tij. Prandaj jo rastësisht, komunikimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut si dhe emërimet e kësaj qeverie pranë kësaj gjykate janë tërësisht partizane dhe politike. Qëllimi i këtyre emërimeve ka qenë dhe mbetet krijimi i drejtpërdrejtë i linje të kësaj gjykate tek Rama”.
Partia Demokratike në pranverë, sipas deputetes Jorida Tabaku, ka informuar Gjykatën e Strasburgut për shkeljet ligjore të qeverisë.
“Për këtë arsye, PD në pranverë ka informuar Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të gjitha vendimet arbitrare të qeverisë dhe mjetet ligjore të përdoruara nga viti 2014 e në vijim”.
Partia Demokratike deklaroi deputetja Tabaku nuk do ttë lejojë që pronarët e ligjshëm të kompensohen me çmime qesharake për pronat e tyre.