PD: Pazaret e ministres Nikolla lenë nxënësit pa dëftesa dhe jashtë universiteteve

schedule14:47 / 13/07/2018

Partia Demokratike ka akuzuar ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, për dështim në pajisjen e nxënësve me dëftesa shkollore për shkak të prishjes së pazareve për tenderin përkatës. Ankesat, sipas deputetit demokrat Luçiano Boçi, kanë ardhur nga vetë nxënësit dhe prindërit të cilët kanë mbetur peng, sipas tij, të një procedure që duhet të kishte përfunduar dy muaj më parë.

“Pranë Partisë Demokratike dhe Komisionit të Edukimit dhe Mediave, kanë ardhur ankesa nga prindër të cilët ngrenë shqetësimin se fëmijët e tyre nuk mund të pajisen dot me dëftesat e arsimit parauniversitar. Të vetmet dëftesa që u printuan dhe u shpërndanë ishin ato të klasës së 9-të, por edhe ato rezultuan me gabime, çka e bën dëftesën dokument të pavlefshëm për 35 mijë nxënës. Një pjesë prej tyre rrezikojnë të mos regjistrohen në shkollë të mesme brenda dhe jashtë vendit. 

Partia Demokratike dënon heshtjen e Ministrisë së Arsimit!

Papërgjegjshmëria, paaftësia dhe korrupsioni i Ministres Lindita Nikolla ka shënuar një rekord të ri – rreth  420 mijë nxënës shqiptarë për herë të parë në historinë e shkollës shqipe janë pa dëftesat shkollore. Sipas informacioneve të ardhura në Partinë Demokratike tenderi i dëftesave është zvarritur për shkak të pazareve të prishura të Ministres së Arsimit”.

/abcnews.al

schedule14:47 / 13/07/2018