PD paralajmëron kryebashkiakun Babani

schedule15:29 - 14 Shtator, 2019

schedule 15:29 - 14 Shtator, 2019

Në fillim të javës së ardhshme Partia Demokratike do të publikojë dokumentacionin që sipas demokratëve fakton të shkuarën e errët të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Mark Babani. Në një prononcim nga Shkodra sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi njoftoi se aksioni opozitar do të vijojë me një strategji të re që do të jetë gati në ditët në vazhdim.

Ngrenë një akuzë, presin reagimin e më pas publikojnë dokumente që zbardhin denoncimin e bërë më herët. Këtë skemë ka zbatuar Partia Demokratike me Valdrin Pjetrin kryebashkiakun e dorëhequr të Shkodrës, Agim Kajmakun, kryebashkiakun e Vorës ndaj të cilit ka nisur verifikimet Prokuroria e po kështu do të ndodhë me Mark Babanin, kryebashkiakun e Vaut të Dejës. Paralajmërimin ia bën i njëjti që ua ka drejtuar të gjithëve, Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve Gazment Bardhi.

“Në fillim të javës që vjen çdo informacion i disponuar nga ne do i bëhet i ditur publikut. Do u prezantojmë qytetarëve dokumentacionin e plotë që kemi me këtë rast”.

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i kundërshtoi më herët akuzat, por numri dy i Partisë Demokratike i dërgon një mesazh nga Shkodra.

“Edhe Valdrin Pjetri e mohoi dënimin e tij në Itali, por më pas u detyrua ta pranonte. Në momentin që PD-ja bën një denoncim ka informacionin e nevojshëm që vërteton akuzën. Ne i jemi drejtuar prokurorisë për të kryer një proces ligjor, por nuk do të presim në pafundësi”.

Në Shkodër gjendej për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve të sekretariateve në degën e PD Shkodër, por një përgjigje ia dha përsëri ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Evropian që ftoi palët të dialogojnë për reformën zgjedhore.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për pazare, apo marrëveshje që zgjidhin kriza momentale , kanë nevoja për marrëveshje afatgjata që kriza të tilla mos të përsëriten më kurrë në Shqipëri”.

Javën e ardhshme do të vendoset edhe strategjia që do të përdoret për të vazhduar aksionin opozitar kundër qeverisë Rama./ABC News Albania 24/7