PD nxjerr dokumentat: Valdrin Pjetri u dënua në Firence

schedule13:00 - 13 Gusht, 2019

schedule 13:00 - 13 Gusht, 2019

Çfarë të kujton data 27 Janar 2003?

Nuk mori përgjigje sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike nga kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës Vladrin Pjetri prandaj vendosi t’ia freskojë vetë kujtesën.

“Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence”.

Partia Demokratike pretendon se kjo është kartela elektronike e të dhënave kriminale e nxjerrë nga sistemi i Kuesturës së Firences. Të dhënat e saj tregojnë se pas arrestimit në 27 janr 2003 një ditë më pas , përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal italian.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.

Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit.

Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian”.

Për Partinë Demokratike  të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit sipas të cilit ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës. Nuk mjaftohet me kaq sekretari I përgjithshëm Gament Bardhi. Gishtin e bashkëfajtorit në promovimin e Valdrin Pjetrit e drejton nga kryeministri Edi Rama.

“Kur bënte këtë pohim Edi Rama e dinte që Valdrin Pjetri ishte një trafikant droge i dënuar në Itali. Të vërtetën mbi të kaluarën kriminale të Valdrin Pjetrit, Edi Rama e ka mësuar nga të njëjtat burime diplomatike, në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike”.

Demokratët thonë se nuk janë të habitur nga gjithcka ka ndodhur pasi ky nuk është një rast i izoluar në selinë e Partisë Socialiste. Sipas tyre në këto 6 vjet të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave. Kërkesën e fundit ia drejtojnë institucionit të akuzës.

“Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë nisjen e mënjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Vladrin Pjetri, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën 4 raste, të krimit të falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!