PD njofton kandidatët e përzgjedhur për deputetë, 5 ditë kohë dhe dhjetëra kushte për të qenë në listë

schedule17:08 - 24 Gusht, 2020

schedule 17:08 - 24 Gusht, 2020

Nga Juxhin Mustafaraj

Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për deputetë i ngritur në Partinë Demokratike ka nisur me njoftimin e emrave dhe dorëzimin e foemularëve për të gjithë ata kandidatë të cilët kanë plotësuar kushtet për të kaluar fazën e parë të këtij procesi. I vetmi qark që ende nuk ka përfunduar me filtrimin e kandidatëve është Tirana.

Ky është email-i njoftues që çdo kandidat që ka marrë konfirmimin e Komisionit të vlerësimit të kandidatëve ka marrë nga Partia Demokratike, ku i kërkohet të plotësojë formularin e Vetëdeklarimit të Kandidimit brenda një periudhe 5 ditore.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se 1/3 e emrave të propozuar nga baza e demokratëve e kaluan filtrin e parë të komisionit, ndërkohë që formularët do të jenë përcaktues për t’i kaluar këta kandidatë në fazën e dytë e cila do të selektojë rreth 300 emra të cilët më pas do t’i kalojnë për votëbesimit anëtarësisë së demokratëve.

Brenda 5 ditëve nga njoftimi, çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë Formularin e Vetëdeklarimit mbi të dhënat e tij, sipas Formatit të miratuar nga Komisioni i Integriteti dhe Etikës. Kandidatëve do t’i kërkohen të dhëna lidhur me arsimin, integritetin moral dhe përgatitjen personale, pastërtinë e figurës, kontributin në Partinë Demokratike dhe angazhimi në opozitë gjatë viteve të fundit.

Në rast se kandidatët e propozuar nuk do të dorëzojnë në kohë  sipas email-it të dërguar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve do të nënkuptohet heqje dorë nga mundësia për të qenë kandidat i mundshëm nga emrat e përzgjedhur dhe Komisioni do ti heq ata nga Listën e Kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë.

Nga detyrimi për të plotësuar këto formularë  do të përjashtohen kandidatët që,në 10 vitet e fundit, kanë pasur mandate përfaqësimi politik të Partisë Demokratike, si deputet apo kryetar bashkie. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve u mblodh sërish këtë të hënë për të filtruar emrat e kandidatëve të propozuar në Tiranë, e cila është edhe qarku me numrin më të lartë të kandidatëve. E marta është afati i fundit i përcaktuar në udhëzimin e miratuar nga Kryesia e PD për përfundimin e fazës së parë të përzgjedhjes së emrave ndërkohë që nga 1 shtatori pritet të nis edhe faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatëve.

Shtatori do të jetë edhe një stinë e nxehtë politike duke marrë parasysh faktin se vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme politike, ndaj edhe PD pritet të përfundojë në kohë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve si një mënyrë e mirë për ti vendosur alternativës politike edhe imazhet përfaqësuese të saj nëse shqiptarët do t’i besojnë drejtimin e qeverisjes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!