PD në gjykatë për kryetarin, PPE i heq të drejtën e votës në Kongres

schedule18:21 - 30 Maj, 2022

schedule 18:21 - 30 Maj, 2022

Ndërsa Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim se cilin statut të PD do të njohë, gazetari i Abc Juxhin Mustafaraj raporton se PPE i ka hequr partisë më të madhe opozitare të drejtën e votës në Kongres. Në dokumentin e siguruar nga gazetari, vihen re se Partia Popullore Europiane nuk ka ftuar asnjë delegat nga Partia Demokratike në Kongresin që zhvillohet në Roterdam ku votohet Presidenti i PPE.

Një vendim i tillë ishte paralajmëruar nga deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian. Në një intervistë të dhënë më 19 maj rreth situatës ku ndodhet Partia Demokratike ai tha nëse kjo forcë politike kthehet te e djeshmja duke nënkuptuar rikthimin e Berishës në krye të partisë do të angazhohet për ta pezulluar PD-në nga PPE-ja. Ky vendim vjen pas marrjes së drejtimit të PD nga ish-kryeministri, ndonëse fjalën e fundit për drejtimin e PD e ka gjykata.

“Më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, tha Krichbaum.

Prej 25 marsit Komisioni i Rithemelimit drejton selinë blu, ndërkohë që në gjykatë vijon të jetë pa një vendim kërkesa e Enkelejd Alibeajt për të regjistruar Kuvendin e PD në 18 dhjetor dhe gjithashtu ankimi për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që njohu si legjitim Kuvendin e PD në 11 dhjetor.

Berisha kërkoi që konfliktit të brendshëm t’i jap një zgjidhje politike dhe jo juridike. 7 ditë përpara se të zgjidhej në krye të PD, Berisha ka kërkuar sërish nga gjykata që të zbardhë vendimin e gjyqtares Blerina Muça që pranoi ankimin e Enkelejd Alibeaj për rrëzimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Ai nisi betejën e tij për të marrë drejtimin e partisë që themeloi vetë, pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat sepse u shpall “Non Grata” nga SHBA për korrupsion e minim të demokracisë. Berisha doli  fitues në zgjedhjet e 22 majit 2022 duke u rizgjedhur kryetar i PD-së me 93.45% të votave. Për rizgjedhjet e tij nuk ka pasur asnjë reagim nga ndërkombëtarët. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!