PD mbledhje maratonë: Kuvendi kombëtar statutor e jo zgjedhor

schedule11:20 - 15 Prill, 2018

schedule 11:20 - 15 Prill, 2018

Pas një mbledhje maratonë, kryesia e PD-s ka vendosur që Kuvendi kombëtar që do mblidhet në fund të Prillit do jetë statutor e jo zgjedhor. Në mbledhjen që përfundoi në orët e vona të mbrëmjes, kritikët e Bashës kërkuan përcaktimin në statut të modaliteteve, se kur kryetari i partisë jep dorëheqjen pasi humb zgjedhjet.

E nisur në orën 18 të pasdites, mbledhja maratonë e kryesisë së Partisë Demokratike, zyrtarizoi të shtunën natyrën statutore të axhendës së Kuvendit kombëtar, të kësaj force politike, që do të mbahet më 28-29 Prill.

Një kritik i njohur i kryetarit Basha, Arben Imami, e sheh pozitive, terheqjen nga ideja e një Kuvendi zgjedhor, por kërkon edhe përcaktimin në statut të rasteve dhe modalitetit të dorëheqjes së kryetarit, në rast disfate elektorale.

Arben Imami: “Duhet vendosur në statut rregull për mandatin e kryetarit nëse humb zgjedhjet. Le të zgjidhet edhe me deklaratëpolitike nga ana e kryetarit, por të vendoset si parim. Propozova krijimin e një bordi që do të kontrollojë financimet dhe shpenzimet e partisë”.

Në mungesë të një deklarate për media nga kryetari Basha, për shkak të mbledhjes së zgjatur me diskutime nga çdo anëtar për çdo pikë të statutit, kryesia, pavarësisht ekzistencës së tre projekt-propozimeve në tryezë, në fund nuk doli me një draft propozim për ndryshimet statutore, por miratoi një dokument politik, i paraqitur në nisje të mbledhjes nga Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani.

Ky dokument parashikon përfshirjen e bazës në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, krijimin e një komisioni të apelimit/gjykatë për statutin dhe intepretimet për të, propozime të platformës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Harxhi dhe Kulluri. Një koncept i ri i përfshirë në dokument është ai i dëmit ndaj partisë, për anëtarët që mbajnë qendrim publik, kundër linjës politike të partisë, ose kur publikojnë informacione konfidenciale.

Partia Demokratike pritet të mbledhë në 20 Prill Këshillin Kombëtar që përpilon draft-propozimin përfundimtar, për statutin që pritet të miratohet gjatë mbledhjes së Kuvendit kombëtar demokratik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!