Me mbylljen e vitit 2018, sipas Partisë Demokratike, u mbyllën edhe mbi 15 mijë biznese rreth 62% më shumë se një vit më parë. Këshilltari i Partisë Demokratike për çështjet ekonomike, Dorian Teliti, thotë se taksat dhe tarifat e rritura kanë rënduar gjendjen e biznesit në vend.
2018-a ishte një vit i mbrapshtë për biznesin e vogël në vend. Këndvështrimi është i Partisë Demokratike, e cila përmes këshilltarit të saj për ekonominë thotë se për shkak të taksave dhe tarifave falimentuan 15 mijë e 340 sipërmarrje.
“Kush thotë se këto janë kompani bixhozi, gënjen! Të tilla, të regjistruara në Qendrën e Bizneseve numërohen me gishtat e një dore. 15 340 bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44 % më e shtrenjtë! 2018-a është edhe më keq se një vit më parë. Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së”.
Por a ka patur kompani të reja të hapura?
“Të gjithë e dimë që po!
DH Albania, kompania fantazëm që u regjistrua në korrik dhe brenda pak javësh mori 50 milionë euro tendera, është fytyra e ekonomisë që ka ndërtuar Edi Rama: falimentim me taksa dhe gjoba të rënda për shqiptarët e zakonshëm, miliona euro për kompanitë e parajsave fiskale, me të cilat ndan pushtetin”.
Edhe viti që sapo kemi nisur sipas Partisë Demokratike nuk pritet të jetë i lehtë për biznesin. “Prej 1 janarit ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për të mbidyfishuar taksën e pronës. Çdo biznes që akoma nuk e ka ulur qepenin, do të paguajë 2-4 herë më shtrenjtë për vendin ku ushtron aktivitetin e tij. Nëse qeveria nis zbatimin e koncesionit të kasave të reja fiskale, çdo biznesi i duhet të paguajë 600-1000 mijë euro të tjera për të zëvendësuar sistemin, nëpërmjet të cilit do të transmetojë në qendër çdo veprim në dyqanin e tij”.
Biznesi mund të rimëkëmbet sipas këshilltarit për ekonominë në Partinë Demokratike vetëm përmes zbatimit të planit të saj, i cili parashikon taksës të sheshtë 9%, përjashtim nga skema e TVSH-së të bizneseve me xhiro deri në 120 milionë lekë, uljen me 300 lekë për litër të çmimit të karburanit dhe anulim të çdo koncesioni korruptiv./abcnews.al