PD-LSI: S’pati OK-ej, Gjiknuri na refuzoi, nesër do vijmë në Këshillin Politik, por mos përsëritet më

schedule20:19 - 17 Shtator, 2020

schedule 20:19 - 17 Shtator, 2020

Opozita jashtë parlamentit, PD-LSI do të marrin pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit Politik që do të zhvillohet në orën 12:00 në Pallatin e Kongreseve, por akuzojnë Damian Gjiknurin se është i njëanshëm. Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili shprehen se nuk kishte dakordësi për të zhvilluar mbledhjen nesër dhe se Gjiknuri refuzoi propozimin për t’u ulur në tryezë të mërkurën. Megjithë, përfaqësuesit e opozitës konfirmojnë pjesëmarrjen.

Ne mbledhjen e fundit te Keshillit politik nuk pati asnje dakordesi per te zhvilluar mbledhje diten e premte. Ju gjithashtu refuzuat kerkesen tone per mbledhje te Keshillit Politik diten e merkure.

Kjo logjike e funksionimit te njeanshem eshte krejt e kundert me menyren e ndertimit dhe funksionimit te Keshillit Politik, ku qofte ditet e mbledhjeve ashtu edhe rendi i dites jane dakordesuar konsensualisht me pare.

Megjithate duke e konsideruar kete si nje veprim te gabuar tuajin por qe nuk do perseritet më, konfirmojme pjesmarrjen tone dhe propozojme qe mbledhja te zhvillohet ne oren 12.00” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Nesër Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS-së, në këtë tryezë do të paraqesë propozimet konkrete për pragun elektoral, hapjen e listave dhe formulën e koalicioneve. Opozita nga ana tjetër ka këmbëngulur që Këshilli Politikë t’i drejtohet zyrtarisht ODIHR-it, që të japë një opinion për koalicionet, që ajo kërkon të mos ndryshohen. Por partia Socialiste e konsideron të mbyllur një debat i tillë.

Shumica socialiste i la afat opozitës që deri ditën e premte, pra nesër të çojë platformën me sugjerimet për hapjen e listave dhe koalicionet, në të kundërt paralajmëroi se do i miratonte e vetme ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet në Kushtetutë që u bënë në fund të korrikut.

Maxhoranca synon që deri më 30 shtator të ketë gati Kodin Zgjedhor, me reflektimet e ndryshimeve kushtetuese. Paralelisht Kuvendi do të procedojë me përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ së re, për të cilin u ngrit një komision i posaçëm.db/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!