PD letër Kolegjit Zgjedhor: Mos jepni vendime derisa kushtetuesja të vendosë

schedule10:00 - 22 Korrik, 2019

schedule 10:00 - 22 Korrik, 2019

Partia Demokratike i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor të vendosë pezullimin e dhënies së mandateve për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Kërkesa i është bërë e ditur edhe misionit të ODIHR, ONM, Bashkimit Evropian dhe ambasadave kryesore në Tiranë.

Të ndalojnë gjykimin e të presin fjalën e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa i drejtohet Kolegjit  Zgjedhor nga Partia Demokratike.

“ Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër.”

“Ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit.”

Kërkesën e firmosur nga numri dy i Partisë Demokratike Gazment Bardhi opozita argumenton se sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 tetor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen, sepse janë fituar në votime të padekretuara nga presidenti.

 “Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë edhe dekretin e zgjedhjeve.”

Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetutshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiake sipas opozitës së bashkuar e cila I bën edhe një apel kolegjit zgjedhor:

 “Koha t’i shërbeni interesit publik përpara interesit tuaj privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private, duke i shkaktuar Shqipërisë një dëm afatgjatë.”

Kërkesa për pezullimin e shpërndarjes së mandateve i është dërguar për dijeni edhe misionit ODIHR, ONM, BE, dhe ambasadave kryesore në Tiranë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!