PD kthehet te ish pronari/ Hoxha: Basha ka të drejtën e rekursit. Elezi: Me Berishën mund të futen bashkë në zgjedhjet e 2025

schedule23:46 - 11 Qershor, 2024

schedule 23:46 - 11 Qershor, 2024

Avokati Arbër Hoxha thotë se gjyqtaret që dhanë vendimin për kthimin e vulës së PD te Sali Berisha, janë ngritur në lartësinë e situatës dhe i dhanë fund sagës disa vjeçare.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Hoxha u shpreh se Lulzim Basha ka të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Ndërsa ish kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Ibsen Elezi deklaroi se Basha me Berishën, mund të futen bashkë në zgjedhjet e 2025.

Pjesë nga diskutimi

Arbër Hoxha: Relatorja Ahmeti është nga gjyqtaret më të mira që kemi në fushën e drejtësisë. Është ngritur në lartësinë e situatës, duke studiuar ligjin për partitë politike dhe duke përfunduar njëherë e mirë sagën e vulës së PD. Bëhet fjalë që zoti Berisha do të jetë kryetari i PD. I vetmi instrument procedural që ka zoti Basha, është rekursi. Pas 30 ditësh, Basha mund të bëjë rekurs pranë gjykatës së Lartë. Mbase kërkon të jetë koherent në vendimmarrjen e tij. Besoj se as ai për momentin nuk e di se çfarë do të bëjë.

Ibsen Elezi: Gjykata ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim. Një ndër parimet themelore të demokracisë, është parimi i shumicës. Ato që marrin shumicën, kanë të drejtën e përfaqësimit. 11 dhjetori ishte Kuvend që e deklaroi shumicën. Gjykata ishte para një fakti të tillë, 11 dhjetori apo 18 dhjetori ishte shumica. Nuk mund ta mohonin, që pjesa e 11 dhjetorit ishte pjesa e shumicës. Ishte kuvend legjitim. Problemi më i madhi këtij procesi është problemi i shumicës. Nëse vërtetohet shumica, procedurat janë për të garantuar shumicën. Kjo që ndodhim ishte mëse e pritshme. Nuk është çështja Berisha apo Basha. Është çështja e prevalimit të shumicës. Rrjedha normale e atij grupimi është të kthehet si fraksion. Janë në funksionalitet, i japin vlerë njëri-tjetrit. Këta nuk i pranojnë kundërshtarët brenda. Nuk do ishte çudi. Basha nuk ka staturë politike të një njeriu të qëndrueshëm. Të dy bashkë mund të futen në zgjedhje. Nëse Berisha mund ta detyrojë, mund të kthehet. Këtë do ta shohim në të ardhmen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!