PD: Komisioneri i Vettingut ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit

schedule14:19 - 30 Korrik, 2018

schedule 14:19 - 30 Korrik, 2018

Me dokumenta zyrtarë kërkojnë të bëjnë transparencë për organet e vettingut.

“Një nga 12 komisionerët e Vettingut jo vetëm nuk përmbush kriteret e detyrës por është përfshirë në falsifikim dokumentash gjatë fazës së aplikimit ëpr anëtar i komisionit”.

Denoncimi i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj flet për Lulzim Hamitjan, komisioner i vettingut i cili sipas selisë blu nuk plotëson kriteret për anëtar.

“Sipas nenit 6 të ligjit për Vettingun, kandidati do duhet të përmbushë kritrerin e zotërimit të gjuhës angleze”.

Kriter i paplotësuar ky nga Hamitaj sipas tyre, akuzë të cilën e ilustrojnë me dokumenta tashmë publike.

“Anëtari Lulzim Hamitaj rezulton se në 2016 ka aplikuar pranë UET si pedagog duke deklaruar se zotëron nivelin fillestar të anglishtes B1. Një vit më vonë, në 8 Shkurt 2017 kur ka depozituar dokumentet për aplikimin për komisioner Vetting, Lulzim Hamitaj sjell certifikatë anglishteje në nivelin më të përparuar C1 lëshuar dokumenti në vitin 2015”.

Kjo sipas demokratëve përforcohet edhe përmes një tjetër fakti.

“Certifikata e dorëzuar në organet e Vettingut mban datën 6 Prill 2016. Nga TIMS Lulzim Hamitaj ne 6 Prill 2015, nuk ka qënë fizikisht në Shqipëri. Ka dalë nga Shqipëria në 28 Mars 2015 dhe ka hyrë në 23 Korrik 2015”.

Mungesa e vulës së universitetit Politeknik të Tiranës në çertifikatën e gjuhës së komisionerit Hamitaj, për ish-minsitrin e Drejtësisë Alibeaj kujton hetimin e kryer mediatikisht në 2015-n që i ndjekur nga ai i prokurorisë po atë vit çoi në mbylljen e qendrës së gjuhëve të huaja që ka lëshuar edhe këtë çertifikatë.

Për këshilltarin ligjor të demokratëve Gazment Bardhi këto janë prova të mjaftueshme për dyshimin e arsyeshëm se…

“Lulzim Hamitaj ka mashtruar organet shtetërore dhe ka falsifikuar dokumentet për të siguruar kualifikimin. Nuk ka integritetin moral. Është vepër penale. Në këtë rast është kryer me dijeni të plotë”.

Thirrjen për zbardhjen e situatës ia drejtoi publikisht organeve përgjgjëse.

“PD i kërkon publikisht KPK-së dhe ONM-së të nisë procedurat disiplinore të komisionerit Lulzim Hamitaj. Prokuroria të nisë procedim penal. Kodi penal parashikon 4 vite dënim”.

Kjo për demokratët është një tjetër provë e kapjes politike të procesit nga kryeministri Edi Rama me qëllim mbajtjen në sistem të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!