Deputetët Albana Vokshi dhe Bardh Spahia kanë depozituar pranë prokurorisë së përgjithshme kallëzim penal për mbledhje dhe përpunim të jashtëligjshëm të të dhënave të qytetarëve, duke denoncuar vetë kryeministrin Rama dhe drejtueset e dy ministrive, atë të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe të Arsimit, Lindita Nikolla.
Kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për Kryeministrin Edi Rama dhe dy ministret e kabinetit të tij, atë të shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Lindita Nikollën nga dikasteri i Arsimit. Padia erdhi nga deputetët Albana Vokshi dhe Bardh Spahia në emër të Partisë Demokratike me akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me marrjen dhe përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale të prindërve dhe pacientëve.
“Informacioni i kërkuar; emër, mbiemër, numri i kartës së identifikimit, adresa e e-mailit, sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, konsiderohen të dhëna të mbrojtura me ligj. Ndaj edhe urdhri i Edi Ramës për të marrë këto të dhëna personale të cilat përbëjnë më shumë se 70% të të gjithë qytetarëve të të gjithë Shqipërisë është një shkelje ligjore. edhe deklaratat e dy ministreve, ministres Nikolla dhe Manastirliu, vërtetojnë qartë paligjshmërinë e aktit të tyre pasi ministrja Nikolla u tërhoq me deklaratën e saj nga numri i kartës së identitetit dhe pavarësisht se Manastirliu nuk u tërhoq në deklaratën publike, por në informacionin tone, dje janë marrë në telefon të gjitha qendrat dhe Drejtoritë Shëndetësore për të ndërprerë numrin e kartës së identitetit. tashmë ekziston regjistri i pacientëve te fondi i Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor, atëhere për çfarë i duhen të dhënat e personelit?! Të gjitha të dhënat, edhe emalet që janë dërguar me urdhër dhe em porosi nga kabineti i kryeministrit, na bëjnë të mendojmë që është ideatori është Edi Rama i gjithë kësaj skeme. Ai po ushtron detyrën e tij si kryeministër duke e shpërdoruar atë për të marrë të dhëna personale për të bërë identifikimin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, për ta përdorur për arsye elektorale të Partisë Socialiste në të gjitha zgjedhjet e ardhshme”.
Duart e tyre i shohin të lidhura institucionalisht, nisur nga ku mund të trokasin për të adresuar shqetësimet.
“Duke qenë në kushtet që Gjykata Kushtetuese është jo funksionale, po ashtu edhe Gjykata e Lartë, Prokuroria pavarësisht se është nën ndikimin e Edi Ramës, është institucioni i vetëm të cilit mund t’i drejtohet opozita për të ngritur zërin dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë”.
Denoncimi, i cili jehon selinë blu prej datës 5 maj, akuzon urdhrin e ministrisë së Arsimit për mbledhjen urgjente të të dhënave të prindërve dhe atë të dikasterit të Shëndetësisë për të dhënat e pacientëve që marrin shërbim në qëndra shëndetësore. Dokumentat e bëra publike nga demorkatët, përpos afatit 1 mujor për sigurimin e ktyre të dhënave, theksonin ngarkimin me përgjegjësi direkte të punonjësve të cilët nuk ndjekin urdhrat e ardhur nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në kuadër të kërkesës së Kabinetit Kryeministror por edhe atë me burim Drejtoritë Rajonale Arsimore të Qytetit. Ministria përgjegjëse për këto të fundit në një reagim publik të menjëhershëm pas denoncimit edhe pse mohoi pretendimin se të dhënat do të përdoren për qëllime elektorale, deklaroi tërheqjen nga kjo kërkesë. Ndryshe nga e para, Minsitria e Shëndetësisë në reagimin e saj e arsyeton mbledhjen e të dhënave me krijimin e arkivit online të të dhënave të pacientëve të cilët në mungesë të kartës së shëndetit identifikohen përmes numrit të tyre të kartës së identitetit./abcnews.al