Partia Demokratike publikon dokumenta ekskluzive në lidhje me përfshirjen e vëllait të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Në një deklaratë për mediat nga selia blu deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe Këshilltari në Grupin Parlamentar të PD-së për çështje ligjore Gazmend Bardhi publikuan dokumentat që e vërtetojnë.
Alibeaj tha se ministri Xhafaj gënjen dhe është në dijeni që Agron Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë në Itali 7 vjet e dy muaj burg, por që nuk ka vuajtur asnjë ditë, duke jetuar i lirë në Shqipëri që prej 2013-ës.
Alibeaj: “Xhafaj sfidoi duke thënë se nëse do ekzistonin faktet e provat që Agron Xhafaj është i dënuar, atëherë këto prova gjenden në Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe PD kishte pasur mundësinë që nëse ato ekzistonin të gërmonmte për t’i zbuluar.
E vërteta është që Xhafaj gënjen dhe është në dijeni që Agron Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë duke jetuar i lirë në Shqipëri që prej 2013, ku i vëllai ishte i pushtetshëm. Faktet provat e dënimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm ja ku i keni”.
Bardhi: “Rezulton se me vendim 2232 25 shtator 2012, të gjykatës së kasacionit, Gjykata e Lartë në Itali është rrëzuar ankimi i Agron Xhafaj duke lënë në fuqi dënumin e tij me 7 vjet e dy muaj burgim”.
Nga shqyrtimi i vendimit gjyqësor dhe dosjes, rezulton se Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar midis Europës dhe SHBA të lëndëve narkotike. Marrëveshja mes grupeve kriminale në njërën prej të cilave bënte pjesë edhe Agron Xhafaj, ishte për shkëmbimin fillestar të 50 kg heroinë me 300 kg kokainë. Marrëveshja u ndryshua dhe parashikoi furnizimin me 40 heroinë e paraprirë nga dorëzimi i një kampioni prej 1 kg të të njëjtës sasi për te testuar lidhur me furnizimet e mëvonshme. Në operacionin për zbulimin e trafikut ndërkombëtar të drogës merrte pjesë si i infiltruar një agjent i DEA. Atij iu dorëzua 1 kg heroinë për llogari të grupit kriminal në Itali, e siguroi Agron Xhafaj.
Së dyti është dënuar për drejtimin e një rrjeti shpërndarës të lëndëve narkotike heroinë, kokainë dhe hashash në Bolonja, Itali.
Së treti është dënuar për bashkëpunimin në importimin nga Shqipëria në territorin e shtetit italian dhe transportimin e lëndëve narkotike, ku Agron Xhafaj bënte të mundur tërheqjen direkte të drogës së transportuar nga Shqipëria dhe të fshehur në rrethinat e bregdetit të Salernos.
Së katërti është dënuar për bashkëpunim me persona të tjerë për mbajtje në mënyrë të paligjshme, dhënien dhe marrjen e lëndëve narkotike, ku Agron Xhafaj kishte rolin e shpërndarësve tek blerësit e drogës të llojit heroinë dhe kanabis. Dënimi me 7.2 vite burgim i Agron Xhafajt është i konfirmuar si vendim i formës së prerë”, tha Bardhi.
Pas publikimit të këtyre fakteve deputeti demokrat Alibeaj i ka adresuar disa pyetje ministritë Brendshëm Fatmir Xhafaj:
1-A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale? Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar? A është ai një person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të mëparshëm me trafikun e drogës?
2- A është familja Xhafaj një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
3-A ka operacioni “Forca e Ligjit” efekt mbi vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, të dënuar për trafik droge apo ai është i paprekshëm?/abcnews.al