“Ndërsa Partia Demokratike është e ndarë sot në dy kampe, zgjidhja e duhur për demokratët do të ishte që kreu aktual të largohet kurse lideri historik të vetëpërmbahet.” Kështu është shprehur Eno Bozdo, ish-sekretari organizativ i PD-së në një bisedë me Sibora Bitrin në “Abc Live”.
Për Bozdon, Partia Demokratike ka nevojë për një gjeneratë të re, me kauza të ndryshme në mënyrë që të ecë përpara.
“I kemi bërë thirrje Berishës të vetëpërmbahet të mos kandidojë. Po kandidoi ai fiton. Duhet një gjeneratë e re, me kauza të ndryshme që ta çojë PD-në përpara. Një pjesë jo-indiferente e anëtarëve të PD, pavarësisht se ku janë pozicionuar, në fund të ditës mendojnë që duhet një lider komplet tjetër.”
Por si do të shkojë PD në zgjedhjet vendore, përgatitjet për të cilat ndoshta duhej të kishin filluar, ndërsa gjendet e ndarë mes kreut Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha? Bozdo thotë se problemet duhet të zgjidhen urgjentisht ndërsa shton se demokratëve u duhet tashmë racionalitet politik dhe gjakftohtësi.
“Do të mjaftonte skandali i fundit i pagave, që opozita të zinte rrugët. Ta zgjidhim sa më shpejt këtë krizë nëse ka mundësi për zgjedhje. E duan të gjithë një ndryshim të qeverisjes por mungon besimi te opozita.”
Kurse i pyetur rreth mënyrës sesi do të “ekzekutohet” ultimatumi i bërë nga grupi i Berishës-Bashës për të lënë zyrën deri më 5 janar, ish-sekretari organizativ i PD-së nuk beson se dhuna është opsion.
“Pavarësisht toneve, të gjitha palët janë të destinuar për të kërkuar një zgjidhje të përbashkët. Retorika politike ka kapur maja të dhunshme. Demokratët nuk dhunojnë selinë e tyre, por njihet edhe e drejta shumicës për të vënë pikat mbi i. Largimi i Bashës dhe Berishës është në të mirë të PD. Shpresoj që viti i ri t’u sjellë racionalitet demokratëve.”
Cilido që të jetë në krye të PD në fund të “betejës” Basha-Berisha, Eno Bozdo shprehet se PD duhet të hapet dhe t’u japë shansin njerëzve që të promovohen. Por a kanë demokratët një alternative konkrete për kreun e PD përpos Bashës dhe Berishës?
Eno Bozdo thotë se alternativa konkrete do të dalë në kohën e duhur. sb/abcnews.al/