PD: DSIK i dha çertifikatë sigurie Tahirit, nuk pajis deputetët e opozitës

schedule15:11 - 25 Prill, 2018

schedule 15:11 - 25 Prill, 2018

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj nga foltorja e selisë blu ka akuzuar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të klasifikuar, se me urdhër politik po ndalon punën e komisionit Tahiri. Këtë, Alibeaj shpjegon se e bën përmes mohimit antiligjor të pajisjes me çertifikatë sigurie të anëtarëve të komisionit hetimor të ngritur pikërisht për shqyrtimin e atyre dokumentave.

Deklarata e plotë e deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i komisionit “Tahiri”

6 jave pas ngritjes së komisionit hetimor “Tahiri”, nuk është bërë asnjë veprim I rëndësishëm hetimor, sepse puna e anëtareve, përshirë kryetarin, është bllokuar me urdhër të arkitektit dhe përfituesit kryesor  të kanabizimit të vendit, kryeministrit Edi Rama.

Me një urdhër të paligjshëm, Edi Rama ka urdhëruar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), që të vonojë dhe bllokojë pajisjen me çertifikatë sigurie të deputetëve të opozitës në Komision. Pa asnjë arsye ligjore, Drejtoria, nën varësinë direkte të Ramës, ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me çertifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎.

Pa çertifikatën e sigurisë, ne nuk mund të shohim dokumentat sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione. Pengimi i punës se Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjesi! Askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor, edhe kur urdhërohet nga Edi Rama apo mbrohet prej tij.

DSIK, nën varësinë e Edi Ramës, është iI njëjti institucion që ka pajisur me çertifikate sigurie brenda ditës Saimir Tahirin, i çertifikuar ndërkombëtarisht për trafik ndërkombëtar droge. Me shumë gjasë, Saimir Tahiri duhet ta ketë akoma të vlefshme çertifikatën e sigurisë dhe, po të ishte anëtar i komisionit, do të shihte dokumentet sekrete që provojnë se ai ka qenë në dijeni, ka ndihmuar, ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga trafiku i drogës, duke e shndërruar policinë në një organizatë kriminale.

DSIK, që po bën kamikazin politik për Edi Ramën kundër opozitës, ka pajisur më çertifkatë sigurie edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që sot janë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtën vepër ponale si Saimir Tahiri, trafik ndërkombëtar droge.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë ‎nga praktikat e paligjshme të bllokimit të punës së Komisionit Hetimor dhe cënimit të së drejtes kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar!

Edi Rama nuk e shpëton dot Saimir Tahirin! Siç thotë sot gazeta gjermane Die Welt, “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!