Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar pas dorëzimit të draftit për Kodin Zgjedhor nga opozita e bashkuar në Këshillin Politik.
Opozita kërkon hapjen 100% të listave, ndërsa Hajdari thekson se propozimi shkon përkrah atij të opozitës parlamentare.
Duke qenë se palët kanë dorëzuar tashmë draftet e tyre, deputetja kërkon që Këshilli Politik të mblidhet nesër në orën 12:00.
“Le të bëhemi bashkë dhe ta përfaqësojmë këtë vullnet qytetar, duke e miratuar me konsensus hapjen reale të listave për zgjedhjet e ardhshme”, shkruan ajo mes të tjerash.
Reagimi i Rudina Hajdarit:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik,
Me kënaqësi konstatova se Partia Demokratike ka dorëzuar pranë Këshillit Politik një draft propozim për amendamentet e Kodit Zgjedhor, propozim ky i cili shkon përkrah atij të opozitës parlamentare e që synon hapjen reale të listave 100% duke ia mundësuar qytetarit e jo më kryetarit përzgjedhjen e deputetëve në Parlamentin e ardhshëm.
Duke qenë se tashmë të gjitha palët i kanë depozituar propozimet e tyre lidhur me këtë çështje, propozoj të takohemi nesër në orën 12:00 për të diskutuar dhe mundësisht dakordësuar rreth kësaj çështjeje.
Sytë e shqiptarëve janë nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe ata sot kërkojnë një reformë zgjedhore e cila pikë së pari të rikthejë sovranitetin te populli nëpërmjet mekanizmit të hapjes së listave.
Le të bëhemi bashkë dhe ta përfaqësojmë këtë vullnet qytetar, duke e miratuar me konsensus hapjen reale të listave për zgjedhjet e ardhshme.
Duke uruar në një përgjigje pozitive,
Me respekt,
Rudina Hajdari
g.v/abcnews.al