PD depoziton nesër kallëzim penal në SPAK për Teatrin, Gjata: Në krye të listës Rama dhe Veliaj

schedule14:07 - 31 Maj, 2020

schedule 14:07 - 31 Maj, 2020

Sekretari për çështjet ligjore i Partisë Demokratike Çlirim Gjata në një konferencë për mediat, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Gjata u shpreh se për aktin e shembjes së Teatrit Kombëtar para drejtësisë nuk ka asnjë përgjegjës as për dhunën e ushtruar as për aktin e paligjshëm sipas tij të shembjes së teatrit.

Ai bëri me dije se PD nesër do të depozitojë nesër një kallëzim penal për krimet e kryera te Teatri.

“Janë të paktën 9 vepra penale që janë konsumuar me shkeljen e ligjit me shembjen e teatrit. Në krye të listës mes shumë emrave të zyrtarëve që duhen hetuar janë Edi Rama dhe ErionVeliaj”, deklaroi Gjata.

Deklarata: 

“Sot bëhen dy javë nga akti i paprecedentë për shembjen me dhunë të Teatrit Kombëtar, një akt që për nga barbaria dhe forca e dhunës shokoi shqiptarët pa dallime partiake dhe solli reagimet më të ashpra nga institucionet dhe mediat europiane. Për këtë krim nuk ka asnjë përgjegjës përpara drejtësisë, as për dhunën e ushtruar, as për aktin e paligjshëm të shembjes së Teatrit.

Të gjithë pamë sesi qindra forca  policore, të pajisur me mjete të operacioneve anti-terror, me armë të rënda zjarri, dhunuan mbrojtësit paqësorë të teatrit, artistët, aktivistët e shoqërisë civile, qytetarët, përfaqësuesit e opozitës së dhe gazetarët që po raportonin shembjen e paligjshme të veprës së shpallur si trashëgimi e kulturës europiane.

Të gjitha këto janë të provuara me filmime, ku duken policët me helmeta të zeza që parakalojnë me automatikë, madje deri dhe brenda sallës së teatrit, duke nxjerrë jashtë artistët dhe qytetarët me forcën e tytave të armëve të zjarrit.

Për këtë akt të paprecedentë dhune nuk ka asnjë veprim nga Prokuroria. Viktimat e drejtpërdrejta të dhunës, përfaqësuesit e Aleancës për Teatrin, kanë depozituar një kallëzim penal dhe SPAK duhet të veprojë pa humbur kohë. Krimi i kryer është parë prej të gjithëve. Mjafton të ketë vullnet për të bërë drejtësi dhe përgjegjësit është e thjeshtë për t’i gjetur.

Ata kanë dalë tani me zë dhe me figurë në mbrojtje të dhunës policore, duke nisur me Edi Ramen, me Sandër Lleshajn, me Ardi Veliun, me Erion Veliajn dhe shërbëtorët e tyre në krim. Prokuroria duhet të kishte vepruar për arrestimin e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin me shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 Maj.

Duke qenë se Prokuroria nuk ka sy të shohë vetë krimet e Edi Ramës, Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal për krimet e kryera tek Teatri”, tha Gjata./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!