PD denoncon: Persona të armatosur kërcënuan me armë zyrtarin e opozitës

schedule14:50 - 23 Prill, 2018

schedule 14:50 - 23 Prill, 2018

Kryetari i grupit të punës për organizimin e Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës Florian Xhuti është kërcënuar me armë, ndërsa kthehej nga një takim me strukturat e partisë në Tepelenë, mesnatën e së enjtes. Ngjarja u denoncua nga deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj sipas të cilit policia ende nuk ka kapur autorët. Ndërkohë Alibeaj tha se ngjarja kriminale ka për qëllim intimidimin e opozitës.

Deklarata e plotë e deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj

Jam këtu për të denoncuar një ngjarje të rëndë kriminale!

Persona të armatosur në mes të natës kanë kërcënuar me pistoletë në kokë, kryetarin e grupit të punës për organizmin e Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës, Florian Xhuti.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur, pasi Floriani po kthehej nga një takim me  strukturat e partisë në Tepelenë.

Në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, mjeti me të cilin Florian Xhuti udhëtonte i vetëm, është ndaluar nga një automjet tjetër, ku ishin dy persona, të cilët ai nuk ka mundur t’i identifikojë.

Pasi i kanë zënë rrugën në një vend të pandriçuar, njëri prej personave  është afruar tek mjeti i zyrtarit të Partisë Demokratike, Florian Xhuti, i ka vendosur pistoletën në kokë, duke e sharë dhe duke e kërcënuar me paralajmërimin të mos kthehej më në Tepelenë për të sharë qeverinë.

Të dy personat e paidetifikuar janë përpjekur ta zbresin nga makina Florian Xhutin, por fatmirësisht, aty ka kaluar një makinë tjetër, moment i cili është shfrytëzuar nga Floriani për të larguar armën nga koka dhe për t’u larguar.

Ai ka shkuar me urgjencë në drejtorinë e Policisë Fier ku ka bërë denoncim zyrtar për ngjarjen. Policia nga ana e saj ka marrë deklarimet e Xhutit dhe thotë se ka bërë veprimet dhe hetimet për ngjarjen. Kërcënimi me armë i përfaqësuesit të opozitës ka ndodhur afër mesnatës të së enjtes. Ne nuk e kemi denoncuar publikisht këtë ngjarje kriminale për t’i dhënë kohë policisë të bëjë detyrën për zbulimin e autorëve, por deri tani, i vetmi rezultat i saj është se autorët kanë ikur në drejtim të paditur.

Partia Demokratike e refuzon këtë përpjekje mjerane për t’i mbyllur gojën opozitës dhe përfaqësuesve të saj, që kanë denoncuar me forcë kultivimin dhe trafikimin e lëndës narkotike në Tepelenë, Memaliaj dhe në të gjithë Shqipërinë.

Duke dënuar me forcë këtë ngjarje kriminale që ka për qëllim intimidimin e opozitës dhe largimin e saj nga zonat që deri dje mbilleshin me kanabis, me lejen e Saimir Tahirit, Partia Demokratike i bën të qartë kujtdo se asgjë nuk do ta ndalë atë në denoncimin e lidhjeve të krimit më këtë qeveri në çdo nivel të saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!