Deputeti demokrat, Enkekeljd Alibeaj, nga foltorja e selisë blu ka akuzuar komisionin e vettingut për përdorim të standarteve të dyfishta, përmes të cilave ka konfirmuar në detyrë prokuroren e përgjithshme të përkohshme Arta Marku. Kjo sipas ish-ministrit të Drejtësisë Alibeaj, jo për shkak të aftësive morale dhe profesionale, të cënuara publikisht përmes dokumentave, por për shkak të shërbimit që ajo i bën pushtetit të ekzekutivit shqiptar.
Pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbi rivlerësimin kalimtar të prokurores së përgjithshme të përkohshme Arta Marku, nuk vonoi reagimi i Partisë Demokratike.
“Sot në Krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht dhe që meritë të vetme të saj ka besnikërinë ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm! Partia Demokratike e konsideron konfirmimin në detyrë të kamikazes së Edi Ramës në Krye të Prokurorisë si një lajm të keq për Reformën në Drejtësi dhe procesin e vettingut. Arta Marku duhet të ishte shkarkuar nga detyra për të paktën 5 arsye të forta, të argumentuara me fakte, të pakundërshtueshme”.
Shkarkimet dhe emërimet e prokurorëve apo titullarëve të të urdhëruara nga Arta Marku gjatë 6 mujorit të saj në detyrën e kryeprokurores së përkohshme; mbajtja në burg e qytetarëve jashtë kritereve ligjore në cilësinë e prokurores në Shkodë në dy raster, një prej të cilëve u artikulua edhe nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs gjatë seancës dëgjimore; si dhe deklarimi i një prone ende në proces legalizimi, duke pranuar kësisoj ndërtimin e saj pa leje, janë tregues të qartë për demokratët se..
“ Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra. Por kjo nuk ndodhi, sepse procesi drejtohet nga Edi Rama. Prandaj dhe kushdo që i shërben atij në sistemin e drejtësisë në shërbim të korrupsionit të Qeverisë së tij dhe krimit të organizuar, do ta kalojë vettingun dhe do të qëndrojë në detyrë”.
Nuk do të jetë e largët dita kur drejtësia në Shiqipëri do të bëhet sipas standarteve më të mira europian, thekson Alibeaj duke garantuar në emër të partisë Demokratike se kushdo që ka shkelur ligjin dhe i ka shërbyer jo Kushtetutës por interesave të pushtetit do të përgjigjet përpara drejtësisë. /abcnews.al