Partia Demokratike ka akuzuar përsëri kryebashkiakun Erion Veliaj se ka gati planin për betonizimin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e selisë blu Ina Zhupa i kërkoi kreut të bashkisë që të mos heshtë, por të dalë para shqiptarëve dhe të japë llogari për këtë plan që zhduk hapësirat e gjelbëra sipas demokratëve.
“Pasi mashtroi qytetarët se te parku i liqenti nuk do të ndërtohet, Erion Veliaj po hesht prej 3 ditësh për planin e publikuar nga PD, i cili provon se te parku i liqenit do të ndërtohet. Ne e sfiduam Erion Veliajn t’u tregojë qytetarëve të vërtetën e planit të tij për parkun e liqenit, por Erioni betoni hesht. Para tre ditësh i vumë në dispozicion publikut videon nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të territorit dhe dokumente zyrtarë që vërtetonin planin e betonizimit të parkut, i cili ishte miratuar me detaje, me kulla mbi 29 metra dhe me 9 kate lartësi, ndërkohë aty parashikoheshin shërbime, banim, parkingje, ambiente zyrash. Erioni betoni që del çdo ditë në televizor çdo ditë për çdo tematikë nuk del të japë përgjigje për betonizimin e parkut. Sfida ishte publike, por mesa duket e ka të pamundur të mbulojë me gënjeshtra faktet dhe dokumentet për planin e pasurimit të tij dhe të mafias së ndërtimit dhe planin për shkatërrimin e Tiranës”, tha Zhupa.